Site icon Telegrafi

Ndërtimet pa leje përreth Liqenit të Batllavës, deklarohet Prokuroria: Po i shqyrtojmë të gjitha pretendimet

Çështja e ndërtimeve pa leje përreth liqenit të Batllavës është kthyer në temë diskutimi në ditët e fundit në komunën e Podujevës.

Për këtë ditë më parë kishte shkruar ish drejtori i Inspekcionit, Besnik Mulliqi, i cili tashmë është shkarkuar.

Mulliqi në një postim në Facebook ditë më parë kishte njoftuar se pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, ka pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA.

“Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm!

Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar!

Prandaj, me vendim të kryetarit nuk do të vazhdojë të jem Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit, ani pse vendimi për shkarkim është skandaloz. Të gjithë juve qytetarë të Podujevës dhe aktivistë të Lëvizjes, ju falënderoj nga zemra për përkrahjen e vazhdueshme!”, shkruante Mulliqi.

Lexo po ashtu Shkarkohet drejtori i Inspeksionit në Podujevë, Mulliqi: U shkarkova shkaku i aksionit të rrënimeve në Orllan

E për këtë Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur për Telegrafin se është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, theksuan nga Prokuroria.

E lidhur me lajmin se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës ka reaguar sot kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Ai ka thënë se e mirëpret çdo hetim lidhur me këtë çështje.

“Në media po qarkullon lajmi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës.

I gëzohem këtij lajmi dhe mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje.

Shpreh gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zonë”, shkruan Bulliqi. /Telegrafi/

Exit mobile version