Ka ndërruar jetë kompozitori i njohur shqiptar, Andi Bajraktari.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur akademiku Vasil Tole përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.


Tole tha se Bajraktarin e konsideron një student të shkëlqyer dhe kompozitor me vlera, mësues e pedagog i përkushtuar, familjar, bashkëshort dhe prind i dashur.

19787179 10159123716575492 1758055543723876930 o Foto: Facebook

Tutje sipas tij, Andi po hidhte i sigurt hapat në fazën e thelluar të formimit të tij si kompozitor dhe intelektual i muzikës.

Theksojmë që Bajraktari ishte kompozitor dhe mësues prej 10 vitesh në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe gjithashtu ishte lektor në Universitetin e Durrësit.

Postimi i plotë i Vasil S. Tole: U pre në mes jeta e një njeriu dhe artisti kompozitor me shpirt të madh. Andi Bajraktari ishte dhe do të kujtohet si personifikim i çdo gjëje të mirë që mund të ketë njeriu: student ekselent, kompozitor me vlera, qytetar, mësues e pedagog i përkushtuar, familjar, bashkëshort e prind i dashur! Andi po hidhte i sigurt hapat në fazën e thelluar të formimit të tij si kompozitor dhe intelektual i muzikës. Vepra të reja po shkruante dhe ishte në prag të pranimit për studimet e doktoraturës në muzikë. Ai reflektonte mirësi për gjithçka që e rrethonte. Na trishtove të gjithëve i dashur Andi me largimin tënd të parakohshëm! Ngushëllimet më të thella për bashkëshorten dhe fëmijët, motrën dhe familjarët si dhe për komunitetin e muziktarëve në Durrës, Tiranë e në gjithë Shqipërinë! I paharruar miku dhe kolegu ynë i rrallë Andi Bajraktari!/Telegrafi/