21 zyrtarët policorë që ndër vite humbën jetën në krye të detyrës janë nderuar sot në Kosovë.

Për herë të parë në vend sot u shënua Dita memoriale e punonjësve policorë të rënë në krye të detyrës.


Ceremonia e kësaj Dite memoriale përfundoi me parakalimin e njësive të Policisë së Kosovës në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se policët kanë ranë në krye të detyrës duke luftuar krimin dhe duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

“Sot po shënojmë 22 vite të themelimit të Policisë së Kosovës, institucionit bosht të Kosovës. Në këtë rrugëtim, 21 policë të Kosovës kanë rënë në kryerje të detyrës, ata janë heronj të sundimit të ligjit, demokracisë dhe paqes në Kosovë”, u shpreh ai.

Konjufca përmendi policin Enver Zymberi të rënë në veri të Kosovës.

“Ai dha jetën në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës”.

Para zyrtarëve policorë u zotua ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se në Qeverinë Kurti, vlera dhe fuqia e policëve do të rritet para popullit, ndërsa profesionalizmi i tyre do të marrë shpërblim.

Ai kërkoi nga organet e drejtësisë që të veprojnë shpejt për zbardhjen e vrasjes së heroit Enver Zymberi dhe të tjerëve, pasi theksoi se "kriminelët duhet të sillen para drejtësisë".

“Në rolin tim si ministër i Brendshëm e shoh policinë si pjesë integrale të shoqërisë dhe jo si përfaqësuesin e dhunës shtetërore. Vetëm në këtë vizon, policia jonë do të jetë institucioni më dinjitoz i shtetit. Policia ka për qëllim të mbrojë së brendshmi shtetin, ndaj edhe drejtësia duhet të marrë seriozisht e policisë".

"Ndërsa nga ana e vet, shoqëria duhet të vendos tërë peshën e dinjitetit në figurën e zyrtarit të policisë. Prandaj edhe sot e kemi obligim që të bëjmë thirrje që organet e drejtësisë në bashkëveprim me ju, zyrtarët policor të veprojnë shpejtë dhe drejtë për zbardhjen e vrasjes së Enverit dhe gjithë të tjerët dhe sjelljen e kriminelëve para drejtësisë”, theksoi ai.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, deklaroi se vepra e 21 zyrtarëve policorë të rënë, do të respektohet gjithmonë, në piedestalin më të lartë.

Ai iu bëri thirrje policëve që punën ta kryejnë me profesionalizëm.

“Ne jemi të vetëdijshëm që puna policore nuk është e zakonshme. Përballja me krimin është përballja me njerëzit që i keqtrajtojnë viktimat”, tha ai.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, në krye të detyrës kanë rënë: Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanoviq, Musin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj dhe Sami Thaqi. /Telegrafi/

295463430 353687083455755 8096269643476750458 n

295504843 1248601122343762 3711125257746636426 n

295446614 828808038139983 501261916712904279 n

295432456 1210920686349410 3082793409483248756 n

295418617 578473163918824 6755534979632338296 n

295416364 441826504481748 3584277561914859970 n

295376175 2600981480037493 1591938851993785172 n

294830175 577741670733591 3895662723694443003 n

295720130 5374443755932182 3160763189040485193 n