NATO ka uruar sot Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke e cilësuar vendin tonë një aleat të rëndësishëm brenda Aleancës.

Në mesazhin e urimit, NATO thotë se Shqipëria është një aleat, duke ftuar të gjithë që ti bashkohen festës, shkruan ATSH.


Postimi është shoqëruar me një imazh ku paraqitet një pjesëtar i FA-ve i pajisur me mjete moderne, duke mbajtur në uniformë flamurin kombëtar shqiptar.

Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë, një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.

Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.