LAJMI I FUNDIT:

Muzetë e Poradecit

Muzetë e Poradecit

Arkitekti, shkrimtari e përkthyesi Petraq Kolevica, mik shumë i afërt i Lasgush Poradecit, në librin e tij me kujtime, “Lasgushi më ka thënë” (faqe 94-95) ka shkruar:

“Ishim në Pogradec, në shtëpinë e tij, atje në odiçkën e katit të tretë ku i pëlqente të rrinte. Se si mbahej në këmbë ajo shtëpi, e veçanërisht ajo odiçkë, me ato mure gjysmë çatma, gjysëm me tulla këllëç, unë, si inxhinier s’i kam dhënë dot shpjegim dhe gjithnjë kam shkelur me frikë mbi dërrasat e dyshemesë së arnuar dhe duke parë muret e plasaritur.

Aty, pra, në odiçkë, ai duke ndenjur mbi një shtrat hekuri dhe unë mbi një arkë dërrase me libra e duke fluturuar së bashku në qiejt e poezisë, e këputi bisedën dhe më tha se e kishin lajmëruar që do t’ia riparonin shtëpinë me shpenzimet e shtetit.


Me atë rast unë i thashë të kërkonte që riparimi të bëhej pa ndëruar strukturën, formën e banesës, ambientet, në mënyrë që t’i mbetej sa më shumë besnike shtëpisë ku ai kishte banuar një jetë të tërë.

Se, të më falni – i thashë – që po bëj një bisedë të tillë, por është e sigurtë që një ditë kjo shtëpi do të bëhet Muze.

Muze – tha – unë kam ‘Vallen e yjeve’ dhe ‘Yllin e zemrës’, jo këtë karakatinë. Ato do të mbeten. Kjo do të zhduket… ”