Site icon Telegrafi

Muza që frymëzoi Paul McCartneyn

Barbara Stepko

Eric Clepton, si një anëtar i grupit rok të viteve 1960 “Derek and the Dominos”, shkroi këngën “Layla”, si një poezi dashurie për Pattie Boyd, gruan e shokut të tij dhe kolegut të tij muzikant George Harrison, dhe që më vonë do të bëhej zonja Clapton.

‘Njeriu i Pianos’, Billy Joel shkroi këngën “Uptown Girl”, kushtuar supermodeles së viteve 1980, Christie Brinkley. Por, një nga muzat më me ndikim të muzikës rok ishte Jane Asher, ish e dashura e Paul McCartneyt të The Beatles – ndikimi i të cilës, mund të gjendet në disa prej këngëve më të famshme të grupit.

Të dy u takuan në vitin 1963, kur Asher 17-vjeçare, e njohur tashmë si aktore, u dërgua të mbulojë si gazetare një koncert të The Beatles në Royal Albert Hall, për revistën britanike “Radio Times”. Historia do të shfaqë një fotografi të Asherit që sheh grupin me një shprehje adhurimi, të shoqëruar me fjalët: “Këta janë ata për të cilët do ta ulërija!”

Të gjithë në grup e kishin joshur, por ishte Paul ai që do t’i fitonte zemrën. Shumë shpejt, McCartney dhe Asher nisën të bashkëjetojnë. Një vit më vonë, ai u zhvendos në shtëpinë e prindërve të saj, një banesë tipike londoneze e shekullit XVII-të, duke u sistemuar në një dhomë në papafingo.

Atje, si dhe në një dhomë muzike në bodrum, McCartney dhe John Lennon shkruan shumë këngë të mirënjohura të The Beatles, përfshirë një numër të veçantë që grupi do të performonte në Ed Sullivan Shoë, “I Want to Hold Your Hand”. Asher shërbeu si një muzë për Paulin, me marrëdhënien e tyre disi të trazuar, që u bë frymëzim për këngë të tilla si “We Can Work It Out”, “All My Loving”, “And I Love Her”, “Here There and Everywhere”dhe “You Won’t See Me”.

Në një intervistë të vitit 1997, McCartney kujton se si ai shkroi shumë këngë në atë dhomë: “Disa pas ndonjë zënke me Janen. Kishte disa nga ato momente”!

Por ndikimi i Asherit do të zgjaste përtej këngëve. Teksa jetonte me familjen e saj, djaloshi i klasës punëtore nga Liverpuli ishte i ekspozuar ndaj një mënyre jetese krejtësisht të ndryshme dhe të pasur (Babai i Janet, Richard Asher, ishte kreu i departamentit psikiatrik në Spitalin Qendror Midëlleseks në Londër, nërsa e ëma Margaret, profesoreshë e oboes në Shkollën e Muzikës dhe Dramës në Gilldholl).

Ndryshimi i mjedisit e zgjeroi horizontin kulturor të McCartneyt, duke e ekspozuar atë ndaj botës së muzikës klasike. Margaret Asher i dha leksione muzike atij, duke i mësuar të luajë në flaut, një instrument që do të shfaqet në mënyrë të dukshme në këngën “Fool on the Hill”. McCartney, po bëhej gjithnjë e më shumë eksperimental. Ai do të futë më vonë muzikën orkestrale në këngët e reja të (për shembull, harmonia e violinës dhe violonçelit në hitet “Yesterday” dhe “Eleanor Rigby”, dhe kreshendon dramatike në “Day in the Life”). Tre vjet më vonë, Asher dhe McCartney morën një shtëpi më vete në Londër. Ditën e Krishtlindjeve, në vitin 1967, çifti shpalli fejesën, dhe në shkurtin e vitit të ardhshëm Asher e shoqëroi grupin muzikor në Indi, për të takuar Maharishi Mahesh Yogin, udhëheqësin e famshëm shpirtëror, që zhvilloi teknikën e Meditimit Transhendental.

Mjerisht, marrëdhënia e çiftit ishte gjithçka veçse jo e qetë. Në korrikun e vitit 1968, në premierën e albumit “Yellow Submarine”, Asher nuk u pa askund. Tre ditë më vonë, në një emision në BBC, Asher njoftoi se marrëdhënia mes saj dhe e McCartneyt kishte marrë fund. Se përse u ndanë, kjo mbetet ende një temë e debatueshme. Disa pretendojnë se gjatë pastrimit të shtëpisë, një ditë, Asher hodhi aksidentalisht në koshin e plehrave një fletore që përmbante tekste të shkruara me dorë të disa këngëve të hershme të dyshes Lennon-McCartney, duke e tërbuar këtë të fundit dhe duke bërë që marrëdhënies së tyre pesëvjeçare t’i vinte një fund i papritur. Të tjerë besojnë se Asher ishte lodhur nga tradhtitë dhe stili i shturrur i jetës së McCartneyt. Ka gjithashtu të ngjarë që Asher, si e pavarur, të ishte lodhur duke u quajtur “Vajza e një pjesëtari të The Beatles” dhe donte të çlirohej për të rifilluar karrierën e saj të aktrimit.

“Nuk e prisha unë atë marrëdhënie. Por, kur gjithçka merr fund, merr fund”, tha Asher gjatë një interviste. “Unë e di se mund të tingëllojë keq, por ne ende e takojmë dhe e duam njëri-tjetrin, por lidhja nuk ka funksionuar. Ndoshta do të jemi sërish fëmijë të çiltër dhe do të takohemi sërish dhe martohemi kur të jemi rreth 70 vjeç”.

Në fakt, nuk ndodhi kështu. Asher u takua me karikaturistin politik Gerald Scarfe në vitin 1971. Ata u martuan 10 vite më vonë dhe patën bashkë tre fëmijë. Gjatë viteve, Asher gëzoi gjithashtu një karrierë të suksesshme si aktore, por edhe si shkrimtare (duke shkruar si romane, ashtu edhe libra me këshilla për stilin e jetesës).

Edhe në kulturën e sotme “të thënies së gjithçkaje”, Asher ka refuzuar me vendosmëri të flasë për marrëdhënien e saj me McCarnteyn, duke e bërë të qartë se është një kapitull i mbyllur në jetën e saj. “Unë kam qenë e martuar për 30 vjet. Kjo pyetje është fyese!”- është shprehur ajo në një intervistë.

Edhe McCartney ka qenë po aq gojëkyçur.

“Unë gjithmonë ndihem shumë i kujdesshëm kur përfshij Janen në historinë e The Beatles”, tha ai në dokumentarin “Antologjia e Bitëllsave”. “Ajo nuk ka zbular kurrë asgjë në shtyp mbi marrëdhënien tonë, ndërsa të gjithë të tjerët kanë shitur historinë e tyre”. /VintageNews/Bota.al/

Exit mobile version