LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Peja do të ketë vëmendje të veçantë të Qeverisë së Kosovës

Mustafa: Peja do të ketë vëmendje të veçantë të Qeverisë së Kosovës

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka vizituar nga afër punimet në rrugën nacionale Klinë-Pejë, me ç’rast është ndalur në disa pika të kësaj rruge duke filluar nga Zahaqi, ku po ndërtohet edhe një nënkalim si dhe disa pika të tjera deri në hyrje të Pejës.

Gjatë kësaj vizite, ku shoqërohej nga ministrat Lutfi Zharku, Hykmete Bajrami dhe Arban Abrashi si dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kryeministri Mustafa është informuar për mbarëvajtjen e punëve si dhe ka biseduar me qytetarët për çështje të ndryshme që lidhen me jetën e tyre.

Kryeministri Mustafa u shpreh i lumtur për vazhdimin e këtij projekti, i cili do të zgjeroi hyrjen në qytetin e Pejës.


“Jam i gëzuar që tani në Komunën e Pejës po zhvillohet ky projekt i cili është i kontraktuar më parë, sepse do të zgjerohet hyrja në qytetin e Pejës. Do të bëhet shumë më e përshtatshme edhe për qytetarët e Pejës por edhe për të gjithë ata që e vizitojnë këtë qytet shumë të bukur turistik, që e meriton një vëmendje të veçantë jo vetëm të Kosovës por edhe të regjionit”, ka theksuar kryeministri.

Po ashtu, kryeministri Isa Mustafa tregoi edhe për planet për investime tjera që do të bëhen në këtë qytet, por edhe në komuna tjera, duke theksuar rëndësinë e koordinimit më të mirë mes Qeverisë dhe komunave në përfundimin e këtyre projekteve.

“Shpresoj se një koordinim i mirë i cili po bëhet ndërmjet ministrive, Qeverisë dhe komunave, do të arrij që të ketë një efiçiencë më të lartë, në rend të parë të kënaqësisë së qytetarëve, të qyteteve, për projektet të cilat do të zhvillohen, sepse asnjë projekt nuk do të ketë vlerën e vet, në qoftë se nuk krijon kushte që qytetarët ta vlerësojnë atë dhe që ata ta ndjejnë veten më mirë, edhe ata që jetojnë në Pejë, por edhe ata që vijnë ta vizitojnë Pejën”, tha kryeministri.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, bëri të ditur se rruga prej 8.7 kilometrave, do të përfundohet brenda dy viteve dhe është një investim prej 9.9 milionë euro.

“Përpos kësaj pjese që besojmë se do të kryhet deri në vitin e ardhshëm,  pra është projekt dy vjeçar, do t’i investojmë edhe 4 milionë euro në 11 projekte tjera në  Komunën e Pejës, në lagje dhe fshatra të Pejës, si dhe në Rugovë”, tha ministri Zharku.

Nga ana e tij, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, falënderoi kryeministrin dhe ministrin për kontributin e dhënë në ndërtimin e infrastrukturës në këtë qytet.

“Ne në Pejë këtë vit do të asfaltojmë 104 kilometra rrugë, nëpër fshatra, në qytet dhe në Bjeshkët e Rugovës”, bëri të ditur Muhaxheri. /Telegrafi/