LAJMI I FUNDIT:

Mustafa Nano dhe gabimi i radhës me Cërnojeviqët

Mustafa Nano dhe gabimi i radhës me Cërnojeviqët

Martesat e sundimtarëve mesjetarë, shumicën e herëve nuk janë bërë në bazë të përkatësisë etnike – shpesh as fetare. Emocioni nacional lindi shumë më vonë. Dallimi gjuhësor në këto raste ishte inferior përball interesit politik. Për këtë arsye, edhe në Ballkan, fronet mbretërore, principatat apo familjet feudale kanë zgjedhur martesat në përputhje me interesat ekonomiko-ushtarake. Janë të gjitha të vërteta: Stefan Cërnojeviqi ka qenë i martuar me Mara Kastriotin; Ivan Cërnojeviqi me Gojsava Aranitin; Stefan Brankoviqi me Angjelina Aranitin; Gjuraq Cërnojeviqi me vajzën e Kojë Zaharisë (familja Cërnojeviq nga shqiptarët njihet edhe si Gjuraziu); Dhimitër Progoni me vajzën e Stefan Nemanjës së II-të; Gjergj Balsha me vajzën e Lazar Hrebelanoviqin; Stefan Uroshi me Jelenën e anzhuinëve; Karl Topia me Voisava Balshën; Andrea Topia me vajzën e Robertit të I-rë të Napolit; Stefan Milutini me bizantinen Simonisa Palaiologina, Stefan Uroshi i III-të me Teodorën e Bullgarisë; Olivera Llazareviqi me Sulltan Bajazitin…

Në këtë kontekst, Kastriotët janë një prej familjeve feudale që kanë zgjedhur martesat po sipas këtij parimi. Megjithatë, thelbi i reagimit tim është te familja Cërnojeviqi e cila sipas Mustafa Nanos është sllave. Gabim. Derën fisnike të familjes Cërnojeviqi, dokumentet mesjetare e identifikojnë si familje katolike – për dallim nga bashkësitë serbe që ishin ortodokse. Është e vështirë që ndonjë studiues të dëshmojë se në hapësirën territoriale të sotme të Malit të Zi, ku është ngritur familja feudale e Cërnojeviqëve, të ketë pasur ndonjë komunitet të rëndësishëm serb të besimit katolik. Në anën tjetër, prezenca e fortë arbërore në këtë territor – deri në grykat e Kotorit – është dëshmuar në të gjitha materialet mesjetare. Në tekstet raguzane, qysh me 1285 flitet për përdorimin e “lingua albanesesca” në gjirin e Kotorit dhe të krahinës fqinje të Gërbalit, ndërsa përreth vitit 1400 thuhet që Lushtica rrethohet nga popullsi sllave dhe shqiptare.


Konstantin Jireçeku, në studimin e tij për historinë kulturore serbe, shkruan se prezenca e shqiptarëve në hapësirën e Kotorit është e dukshme në shekullin XIV. Sipas tij, në rregullimin politik dhe administrativ janë trajtuar si grup i veçantë. Në një rast tjetër, sipas dokumentacionit të vitit 1351, ndër përfaqësuesit e qytetarët e Kotorit shfaqen Mihalo Buçia dhe Brut Bishti. Mbiemrat e tyre kanë kuptim të plotë me shqipen e sotme, përderisa në gjuhën sllave jo. Pak vite më vonë, më 1365 përmendet një shërbyese tek “Ser Johannes de Tudisio”, e cila thuhet të ketë qenë vajza e “Progon Mataruziqit” nga Kotori. Emri Progon, që mban ky i fundit, i takon shqipes. Në fillim të shekullit të XV-të, në listën e vëllazërive të qytetit të Kotorit figurojnë edhe familjet “Arsa”, “Gini”, “Bisti”, “Barte”, “Zaguri”, “Bucchia”,”Chiasta”, “Gischi”… që fare lehtë mund të afrohen me fjalët shqipe, si: Arrëza, Gjini, Bishti, Bardhi, Zaguri, Buçja, Kashta dhe Gishti. Sërish, asnjë nga mbiemrat e mësipërm nuk ka kuptim në gjuhën sllavë.

Kotori është më në veri se territori origjinë i Cërnojeviqëve, z. Nano. Meqenëse u pëlqen të thirreni në studimet e Oliver Jens Schmittit, atëherë këto të dhëna i gjen në studimet e tij dhe në çdo regjistër tjetër.

Unë kam zgjedhur të reagoj duke mos marrë parasysh shënimet e autorëve shqiptarë (me gjithë respektin për ta). Për t’i ikur etiketave për qasje emocionale, kam zgjedhur literaturën e studiuesve sllavë. Kur flasim për ta, Sava Nakiçenoviq më 1913 numëronte qindra familje në Lushticë e Kotor me origjinë arbërore. Sipas tij, si veshja ashtu edhe gjuha sllave aty sot janë në tjetër trajtë. Gjithnjë flitet për Kotorin, përderisa Cërnojeviqët ndeshen më në jug.

Por, të kthehemi tek vendi i shtrirjes së Crnojeviçëve, në vijën Lovçen-Zhablak.

Hapësira territoriale ku themelohet dhe merr formë dinastia Cërnojeviqi, ishte e përzier etnikisht. Megjithatë, elementi arbëror ishte mbizotërues, shkaku i toponimisë, regjistrave dhe kujtimeve popullore malazeze për prejardhjen. Leksikoni historik i botuar nga “Vijesti” në Podgoricë më 2006, shkruan se shumica e thellë e mbi 12 fshatrave të fisit Ceklin, vijnë nga Leka. Autori sllav, Jovan Erdelanoviq, për Kosijerin thotë se gjysma e popullsisë i takon vëllazërisë Gjinoviq. Pra, baza është te emri Gjin, i përdorur vetëm nga arbërit. Erdelanoviqi ndalet edhe te Lubotini që si emërtim padyshim është sllav, mirëpo vëllazëritë e shënuara nga ai, si Gjonoviq (nga Gjoni), Shoqi (nga Shok), Lubarda (Lumbardha) dhe Kambani (Kambana) tregojnë një përbërje tjetër (duhet thënë që në gadishullin ballkanik emri Gjon ndeshet vetëm tek shqiptarët, përderisa trajta italiane e këtij emri është Xhovani, ajo gjermane Johan, ndërsa ajo sllave Jovan ose Ivan). Përveç emrave të katundeve, në fisin Komani dhe Zagarac ndeshen këto lokalitete: Qafa, Gjegjeza, Balloçi, Kuk, Gruna, Sukeza, Shkalla, Gropa, Malenza, Qeret, Katunina, “Gashova Peçina” (Shpella e Gashit), Suka, “Vajski Krs” (Shkëmbi i Vajzës) etj.

Mariano Bolizza në relacionin e tij të vitit 1614, përmend fshatin “Arbanas”. Bolizza më pas regjistron edhe një individ: Gjuro Gegoviq i cili udhëheq fshatin Maini mbi Budvë. Emri Gegë përveç shqipes nuk ka kuptim në gjuhën sllave.

Në kujtimet e popullit të sotëm malazez, ndeshet edhe fisi Malonshiqi, të cilët në burimet historike për herë të parë përmenden si shoqëri luftarake në vitin 1411. Enciklopedia e përgjithshme malazeze i pranon si fis me origjinë shqiptare, duke bërë ndërlidhjen e emrit me fjalën Malonsi në shqip. Branko Babiq është një nga autorët që në veprën e tij mbi Spuzhin dhe rrethinën e tij, mbështet një teori të tillë. Më tej, Spiro Kulishiq dhe Konstantin Jireçek shkruajnë për fshatin Shingjon, ku “emërtimi është shqip; banorë që e flasin shqipen nuk ka”. Por, kjo nuk do të thotë se në kohën e Cërnojeviqëve mesjetarë nuk janë karakterizuar si arbër etnikë. Të ndalemi edhe pak tek Kulishiqi që pati shkaktuar valë reaksionesh në Jugosllavinë e dikurshme, me librin “Mbi etnogjenezën e malazezëve”. Duke përpunuar regjistrat e shekullit XIV, ai nënvizon se katundi Bostur, në afërsi të Lovçenit, popullohet nga individë të cilët bazuar në emrat e tyre, duket qartë se janë përzierje e elementit të vjetër ballkanik me të ardhurit sllavë. Sipas tij, edhe në dy katunde të vogla, në afërsi të Lovçenit, të quajtura “Zanjev Do” dhe “Bogoje”, më 1326 janë regjistruar banorët me emra si Gjin apo Bardonjë – që janë emra të arbërve. Dhe, është pikërisht rrethina e Lovçenit si pika më veriore, ku një pjesë e studiuesve sllavë e lokalizojnë origjinën e Crnojeviqëve. Pjesa tjetër nuk e veçon ndonjë vendbanim, por mjaftojnë konstatimet që rrjedhin nga Zeta mesjetare, si territor i përzier etnikisht me një mbizotërim të theksuar të elementit arbëror.

Akademiku serb, Simeon Sima Çirkoviq, për Cërnojeviqët shkruan se janë me origjinë shqiptaro-vllahe. Ndërsa, asnjë historian i rëndësishëm nuk i ka trajtuar si serbë, as ata e as familjen Balsha. Është një bjeshkë e tërë me argumente, z. Nano, që flasim për përkatësinë etnike të familjes Cërnojeviqi. Nuk është zbulim dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme te martesat e përziera të fisnikëve ballkanas. Nuk është gabim pasqyrimi i fakteve të tilla, por është gabim kur ju i trajtoni Cërnojeviqët si sllavë, krejt ndryshe nga argumentet që i mbështesin vet studiuesit serbë. Djali i Stefan Cërnojeviqit, Andrea, nga vetë familja e tij, populli i Zetës dhe të huajt, është quajtur “Arbëri trim” (shkruar nga Fallmerayer, që më 1860). Pra, e ke gabim z. Nano dhe faktet për këtë janë më të shumta e më relevante se “dëshmitë” tua.