Mungesa e numrave - zgjedhjet e reja bëhen opsion i pashmangshëm

Pas dështimit të formimit të Qeverisë “Kurti 3” në Kuvendin e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani do të nis konsultimet me partitë politike për të mandatuar një kandidat të ri për Kryeministër dhe për të formuar një Qeveri të re.
Ky proces është përaparë edhe në Nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës, i cili rregullon procedurat pas zgjedhjes së qeverisë dhe mandateve të Kryeministrit.
Sipas këtij neni, pas çdo procesi zgjedhor, Presidenti propozon kandidatin për Kryeministër në konsultim me partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend.

Kandidati i propozuar duhet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit.
Nëse kandidati nuk arrin të sigurojë shumicën e votave, Presidenti ka detyrimin që brenda dhjetë ditëve të emërojë një kandidat tjetër, ndërsa në rast se as hera e dytë nuk rezulton me zgjedhjen e Qeverisë, shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes.
Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes bëri të ditur se presidentja Osmani do të ftojë partitë në konsultime brenda afatit kushtetues.
Lidhur me situatën aktuale të krijuar, ka reaguar edhe Eugen Cakolli nga KDI duke theksuar mungesën e dialogut dhe kompromisit në procesin politik.
“Ky nuk është modeli politik i funksionimit institucional që duhet ta aspirojë Kosova. S’është normale që, shtatë muaj pas certifikimit të rezultateve, të arrijmë në seancën kryesore – atë të votimit për Qeverinë – pa marrëveshje politike që garanton shumicën në Kuvend dhe pa vullnet të sinqertë për kompromis.
Tanimë është e qartë se, gjatë gjithë kësaj kohe, problemet nuk kanë qenë ligjore apo kushtetuese, por pasojë e përdorimit të qëllimshëm të taktizimeve procedurale dhe të diskursit publik për të zvarritur procesin”, ka shtuar Cakolli.
Ai ka theksuar se mungesa e stabilitetit institucional, rrezikimi i buxhetit dhe i kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk janë shqetësime që lindën sot.
“Ato kanë qenë reale e të njohura prej muajsh – kohë kjo që u harxhua duke shmangur marrëveshjen politike dhe ndërtuar narrativën e viktimizimit”, ka shkruar ai.
Cakolli thekson se vendi ndodhet në një fazë që ngjan me mospranim de facto të rezultateve zgjedhore, për shkak të moskënaqshmërisë me to, dhe se procesi politik është kthyer në një garë për fajësim, duke e çuar Kosovën drejt zgjedhjeve të reja që tashmë duken të pashmangshme.
Ai nënvizon rëndësinë e dialogut, kompromisit dhe respektit ndaj rezultateve zgjedhore për të garantuar funksionimin normal të institucioneve.
Edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka reaguar ashpër mbi humbjen e kohës dhe përgjegjësinë e aktorëve politikë.
Ai ka shtuar se askush nuk do të mbajë përgjegjësi për tërë këta muaj të humbur.
“Nëntë muaj u humbën që të mbërrihej aty ku dihej se ishte prej 10 shkurtit - në 56 vota në Kuvend. Kujt ja pat gjithë ky vend borxh të humb kaq shumë për lojërat e këtyre që fitoren e shndërruan në humbje? ‘Ne do të qeverisim vet!’. Në ëndrra. Përgjegjësi, normal, që askush nuk do të mbanë. Dhe kështu shkojmë drejt zgjedhjeve të reja. … Zgjedhjet e reja duhet të jenë për dhënie të llogarisë dhe drejtim të ri. Dhe me kurrfarë propagande nuk mund t’i iket kësak”, ka shkruar Deda.
Ndryshe partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s'kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja. Ngjashëm ka deklaruar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj para se të niste seanca për votimin e Qeverisë.
Kjo ishte hera e parë që një mandatar për kryeministër dështon në votim.
Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi në 2002-n, Ramush Haradinaj në 2004-n, Bajram Kosumi në 2005-n, Agim Çeku në 2006-ën, Hashim Thaçi në 2008-n dhe 2010-n, Isa Mustafa në 2014-n, Ramush Haradinaj në 2017-n, Albin Kurti në 2020-n dhe 2021-n, si dhe Avdullah Hoti në 2020-ën.
Votimi për Hotin u kontestua, meqë rezultoi se një deputet nuk kishte të drejtë të zgjidhej, e për rrjedhojë vota e tij që ishte përcaktuese për zgjedhjen, u konsiderua jokushtetuese. /Telegrafi/


















































