int(1) Mungesa e grave në tregun e punës, Mustafa thekson se kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit është një nga arsyet - Telegrafi
Site icon Telegrafi

Mungesa e grave në tregun e punës, Mustafa thekson se kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit është një nga arsyet

Saxhide Mustafa, koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave, shprehu shqetësimin për barrierat që hasin gratë në tregun e punës.

Gjatë një interviste në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ajo theksoi se kujdesi ndaj fëmijëve dhe të moshuarve është një nga arsyet kryesore që gratë mbesin jashtë tregut të punës.

“Pa një ofertë të mjaftueshme për kujdesin e fëmijëve, shumë gra detyrohen të qëndrojnë në shtëpi”, tha Mustafa.

Mustafa gjithashtu theksoi se mosha është një faktor tjetër kufizues.

Saxhide Mustafa, koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave/Foto: Ridvan Slivova

“Kërkesat e moshës shpeshherë i privojnë gratë e moshës së mesme nga mundësitë e punës”, shpjegoi ajo.

Sipas saj, shumë konkurse janë diskriminuese dhe hulumtimet kanë treguar se disa konkurse janë dedikuar veçmas gjinisë mashkullore.

Një rast i veçantë që ajo e përmendi ishte masat e ndërmarra nga qeveria për punësim, konkretisht platforma “Superpuna”.

“Në Superpuna, konkurset shpeshherë janë të dizajnuara në mënyrë që të favorizojnë meshkujt, duke i bërë ato të diskriminuese për gratë. Te Superpuna, ka qenë mosha e kufizuar fillimisht mosha deri në 24 vjet pastaj e kanë rritur deri në 29 vjet pas shumë ankesave”, tha Mustafa, shkruan Telegrafi.

Ajo e përmendi gjithashtu ligjin e punës dhe vështirësitë që hasin gratë në lidhje me pushimin e lehonisë.

“Gratë shpesh ballafaqohen me diskriminim në pagesën e pushimit të lehonisë. Kjo çështje duhet të adresohet me urgjencë”, theksoi Mustafa.

Ajo u shpreh se Forumi Ekonomik i Grave ka avokuar për ndryshimin e Ligjit të Punës, por fatkeqësisht, as në Qeverinë Kurti nuk kanë arritur të realizojnë ndryshimet e nevojshme.

“Edhe pse patëm premtime nga ministri Murati në vitin 2022, ato mbetën të paplotësuara”, tha ajo.

Saxhide Mustafa, koordinatore e Forumit Ekonomik të Grave/Foto: Ridvan Slivova

Mustafa përfundoi duke theksuar nevojën për veprime të menjëhershme:.

“Është e domosdoshme të adresojmë këto barrierat për të mbështetur gratë në tregun e punës dhe për t’i dhënë atyre mundësitë që meritojnë”.

Forumi Ekonomik i Grave është një platformë ku ka bërë së bashku organizatat e shoqërisë civile në formë të koalicionit jo-formal dhe të gjitha së bashku qëllimi i vetëm është avokimi për fuqizimin ekonomik të grave. Forumi Ekonomik i Grave është themeluar në vitin 2016 dhe në të ardhmen do të adresojë edhe tema tjera me rëndësi.  /Telegrafi/

Exit mobile version