Site icon Telegrafi

Mungesa e borës në Himalaje kërcënon furnizimin me ujë të pijshëm për miliona njerëz

Për shkak të sasisë jashtëzakonisht të ulët të borës në Himalaje, qindra milionë banorë të Afganistanit, të Kinës, të Pakistanit dhe të Vietnamit rrezikohen nga mungesa e ujit.

Sipas shkencëtarëve thatësira do të çonte edhe në krizë ushqimore, e cila do të ndjehej gjithashtu edhe tek tokat bujqësore.

Alarmi u dha nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar të Maleve (Icimod), organizatë me qendër në Nepal në të cilën bëjnë pjesë 8 shtete: Afganistani, Bangladeshi, Butani, Kina, India, Myanmari, Nepali dhe Pakistani.

Anomali të ciklit të borës

Shkak për këtë janë bërë reshjet gjithnjë e më të pakta të borës në vargmalet e Hindu Kushit dhe të Himalajës, në Azinë Qendrore.

Mungesës së reshjeve i shtohet edhe shkurtimi i periudhës gjatë së cilës bora mbetet në tokë.

Këtë vit ajo është 18.5 për qind më e shkurtër se normalja, tha studiuesi Sher Muhammad nga qendra shkencore Icimod në Nepal.

Kjo do të thotë se ekziston një rrezik shumë i lartë i mungesës së ujit në rajonin malor dhe luginat rrëzë Himalajeve.

Disa miliardë vetë në rrezik

Sipas studiuesve, nga uji i krijuar nga shkrirja e borës dhe akullit janë të varur rreth 240 milionë vetë në rajonin e Himalajeve dhe 1,65 miliard njerëz të tjerë që jetojnë përgjatë lumenjve që burojnë nga Himalajet.

Studiuesit e Icimod-it i matin reshjet e borës në rajon prej më shumë se dy dekada.

Këtë vit ata vunë re një “anomali të rëndësishme”: në pellgun e lumit Gangu kohëzgjatja e qëndrimit të borës është 17 për qind më e ulët se normalja, ndërsa në pellgun e Helmandit madje 32 për qind më e ulët se mesatarja.

Studiuesit e Icimod u bënë thirrje autoriteteve të rajonit që të marrin masa tani për t’u përgatitur për një thatësirë të afërt. /DW/

Exit mobile version