Për shkak të sasisë jashtëzakonisht të ulët të borës në Himalaje, qindra milionë banorë të Afganistanit, të Kinës, të Pakistanit dhe të Vietnamit rrezikohen nga mungesa e ujit.

Sipas shkencëtarëve thatësira do të çonte edhe në krizë ushqimore, e cila do të ndjehej gjithashtu edhe tek tokat bujqësore.


Alarmi u dha nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar të Maleve (Icimod), organizatë me qendër në Nepal në të cilën bëjnë pjesë 8 shtete: Afganistani, Bangladeshi, Butani, Kina, India, Myanmari, Nepali dhe Pakistani.

Anomali të ciklit të borës

Shkak për këtë janë bërë reshjet gjithnjë e më të pakta të borës në vargmalet e Hindu Kushit dhe të Himalajës, në Azinë Qendrore.

Mungesës së reshjeve i shtohet edhe shkurtimi i periudhës gjatë së cilës bora mbetet në tokë.

Këtë vit ajo është 18.5 për qind më e shkurtër se normalja, tha studiuesi Sher Muhammad nga qendra shkencore Icimod në Nepal.

Kjo do të thotë se ekziston një rrezik shumë i lartë i mungesës së ujit në rajonin malor dhe luginat rrëzë Himalajeve.

Disa miliardë vetë në rrezik

Sipas studiuesve, nga uji i krijuar nga shkrirja e borës dhe akullit janë të varur rreth 240 milionë vetë në rajonin e Himalajeve dhe 1,65 miliard njerëz të tjerë që jetojnë përgjatë lumenjve që burojnë nga Himalajet.

Studiuesit e Icimod-it i matin reshjet e borës në rajon prej më shumë se dy dekada.

Këtë vit ata vunë re një "anomali të rëndësishme": në pellgun e lumit Gangu kohëzgjatja e qëndrimit të borës është 17 për qind më e ulët se normalja, ndërsa në pellgun e Helmandit madje 32 për qind më e ulët se mesatarja.

Studiuesit e Icimod u bënë thirrje autoriteteve të rajonit që të marrin masa tani për t'u përgatitur për një thatësirë të afërt. /DW/