Muja tha se LDK mbron grupet e interesit, reagon Bajrami: Shkelësit e Kushtetutës janë ngritë në këmbë

Pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës duke thënë se LDK mbron vetëm grupet e interesit, ka reaguar deputetja nga kjo parti, Hykmete Bajrami.
Bajram përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se janë në gritë në këmbë shkelësit e Kushtetutës duke arsyetuar ngritjen e çmimit të energjisë.
“Shkelësit e Kushtetutës - superkriminelët sipas Albin Kurtit, janë ngritë në këmbë duke e arsyetu ngritjen e çmimit të energjisë elektrike 128 përqind për qytetarë e 260 përqind për bizneset prodhuese e për punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Arsyetimin e tyre ata e lidhin me rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të Ligjit për çmimet tavan. Këta jo vetëm që janë abuzues të pozitave zyrtare, të besimit që ju ka dhënë qytetari, por edhe janë të padijshëm, e si të tillë tentimin për manipulim me opinionin e kanë të neveritshëm”, ka shkruar Bajrami.
Tutje ka thënë se LDK ka qenë dhe është gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, ligjeve, interesit qytetar dhe ekonomisë së tregut.
“Për dallim prej servilëve të Kurtit, të cilët për të qenë taman servil flasin edhe kundër diplomave e shkollave të tyre, ne e bëjmë dallimin në mes të 'konkurrencës së lirë' dhe 'monopolit'. Është fakt i pamohueshëm se deri tani bizneset kanë marrë vetëm një ofertë për furnizim me energji pas datës 1 qershor, këtë ofertë e kanë marrë nga KESCO me çmim 260% më të lartë se çmimi aktual”.
Ajo tha se LDK është në mbrojtje të qytetarëve dhe interesit të tyre.
“Dhe po ne nuk e fshehim, jemi në mbrojtje të qytetarëve dhe interesit të tyre, të cilët përpos faturave të larta të energjisë do të goditën edhe nga një valë tjetër e inflacionit dhe po jemi në mbrojtje të 1300 bizneseve më të mëdha në vend, por LVV është kundër qytetarëve e kundër bizneseve sepse po bën e po mbron politika që e godasin qytetarin e biznesin vendor dhe favorizojnë monopolin e mafinë energjetike që ka lulëzuar gjatë qeverisjes së tyre”, ka shkruar Bajrami në Facebook. /Telegrafi/

















































