Site icon Telegrafi

MPJ e Kroacisë, qytetarëve kroatë: Kujdes kur udhëtoni drejt Serbisë, mundësisht shmangeni këtë vend

Ministria e Punëve të Jashtme të Kroacisë, për shkak të trajtimit dhe qëndrimit ndaj qytetarëve kroatë në Serbi, përditësuar rekomandimet për udhëtimet në këtë vend.

Ministria u ka bërë thirrje kroatëve që të jenë të kujdesshëm dhe të informohen mirë para se të udhëtojnë drejt shtetit serb.

Lexo po ashtu Keqtrajtohen pesë kroatë në Serbi, Zagrebi i dërgon notë proteste Beogradit

“Rekomandohet shtyrja e të gjitha udhëtimeve që nuk janë të domosdoshme, vigjilenca, ndjekja e situatës aktuale dhe informimi i detajuar para udhëtimit për shkak të trajtimeve të papërshtatshme dhe të pabazuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë ndaj shtetasve kroatë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Qytetarëve kroatë u këshillohet të shmangin vendet me grumbullime të mëdha njerëzish.

Në rast nevoje, shtetasit kroatë kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë në çdo moment nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Republikën e Serbisë.

Kujtojmë se Kroacia më herët gjatë ditës i ka dërguar Serbisë një notë proteste për trajtimin e pesë shtetaseve kroate në Serbi.

Pesë shtetase kroate, përfaqësuese të organizatave joqeveritare që po merrnin pjesë në një punëtori të organizuar nga Erste Stiftung në Beograd, kaluan një pjesë të mirë të natës në polici dhe u dëbuan në mëngjes nga Serbia ndërsa iu ndalua hyrja në vend për një vit.

Në dokumentin e dhënë si arsye për dëbim, është përmendur “mbrojtja e sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj”. /Telegrafi/

Exit mobile version