MPB ngre procedurë kundër Komunës së Strugës për festimet e 28 nëntorit pa flamurin e Maqedonisë së Veriut

Njësia për Punë të Brendshme ka paraqitur kërkesë për nisjen e një procedurëse kundërvajtëse ndaj subjektit juridik-komuna e Strugës dhe ndaj personit përgjegjës M.K. (65) nga fshati Bixhevë i Strugës, për shkak të veprës së kryer në kundërshtim me nenin 6, dhe e ndëshkueshme sipas nenit 11 të Ligjit për Përdorimin e Flamujve të Komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Të denoncuarit, si organizatorë të një ngjarjeje me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar, që me datë 28.11.2025 u mbajt në rrugën ‘Marshall Tito’ në Strugë, krahas flamurit të bashkësive, as në skenë, as në një pjesë të shëtitores të lumit Drini i Zi, nuk e kanë theksuar dhe nuk e kanë vendosur flamurin shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjë që sipas ligjit ishin të obliguar për ta bërë", njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Kujtojmë se dje, kryeministri Hristijan Mickoski, pati kritika të ashpra ndaj kryetarit të Strugës, Mendi Qyra, për shkak se është festuar 28 nëntori vetëm me flamurin shqiptar.
Mickoski sqaroi se ai i ka dërguar edhe SMS porosi kryetarit të Strugës për këtë gjë.
Për Qyrën, Mickoski komentin e përfundoi duke thënë se “Për fat të keq mundësi për përshtypje të dytë nuk ka, ndërsa përshtypja e parë ishte katastrofë”.
Sot, Qyra pranoi se vërejtja e Mickoskit kishte të bëj me anashkalimin e flamurit shtetëror, mirëpo ai tha se veprimi i ndodhur ishte lëshim dhe nuk u bë me qëllim.
“Në SMS-në që e mora në ditën e flamurit, sigurisht që vërejtja ishte pse nuk ishte flamuri shtetëror për të cilën unë i thash se kjo ka ndodhur për arsye se unë vetëm 15 ditë jam në këtë post dhe kjo është manifestuar gjithmonë në këtë formë dhe unë nuk e kam bërë me qëllim dhe besoj se kjo është një lëshim i cili do të përmirësohet herëve tjera…jo ai nuk paraqiti ndonjë shqetësim të madh, sigurisht e bëri vërejtjen e vet dhe ajo ishte një vërejtje e shkurtër dhe nuk komentuam gjëra të gjata”, tha Qyra.




















































