LAJMI I FUNDIT:

MPB: Kontroll të veprimeve terroriste – Ekspertët: Mund të ketë sulme edhe në Ballkan

MPB: Kontroll të veprimeve terroriste – Ekspertët: Mund të ketë sulme edhe në Ballkan

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke i bashkërenduar veprimet me shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, me qëllim të, siç thonë, ‘vënies nën kontroll të veprimeve ekstremiste”.

Deklaratat e tyre pasuan arrestimin në Kosovë dhe në Shqipëri, brenda një dite, të së paku 11 personave, 7 nga të cilët në territorin e Kosovës, me dyshimin për organizim për kryerjen e, siç thuhet, “veprave terroriste dhe kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”.

Në një dokument të Prokurorisë së Kosovës, pas arrestimit të të dyshuarve, thuhet se “ishin në kontakt me pjesëtarin e grupit militant Shteti Islamik, Lavdrim Muhaxheri, nga i cili kishin marrë udhëzime për sulme”.


Muhaxheri u bë i njohur në korrik të vitit 2014, pas publikimeve në faqen e tij të Facebook-ut dhe fotografive të veprimeve të tij.

“Ata po përgatisnin sulme terroriste në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Kosovë. Ata kishin planifikuar sulme mbi ndërtesa të ndryshme, mbi institucionet e sigurisë, të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat ekonomike, politike dhe financiare”, thuhet në dokumentin e prokurorisë së posaçme.

Të gjitha pretendimet e prokurorisë në Prishtinë u hodhën poshtë nga avokatët mbrojtës.

Aksioni i policive të Kosovës dhe Shqipërisë u shtri edhe në Maqedoni, por arrestimet u kryen vetëm në territorin shqiptar dhe atë të Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Valdet Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se arrestimet e fundit të personave të dyshuar për lidhje me grupet terroriste janë konfirmim i bashkëpunimit të autoriteteve të sigurisë në rajon.

“Është vazhdimësi e aktiviteteve të mekanizmave të sigurisë edhe konfirmim i bashkëpunimit shumë të ngushtë të autoriteteve, konkretisht policive dhe autoriteteve të tjera të sigurisë të rajonit, sepse është një interes i përbashkët luftimi i kësaj dukurie dinake. Dhe në këtë kuptim, është vetëm vazhdimësi e koordinimit dhe konsolidimit të aktiviteteve në drejtim të vënies nën kontroll të kësaj dukurie”, tha Hoxha.

Mbi 300 qytetarë të Kosovës mendohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në Siri dhe Irak, dhe sipas vlerësimeve të mekanizmave të sigurisë në vend, në këto konflikte vazhdojnë të jenë ende 140 persona, në mesin e të cilëve gra dhe fëmijë.

Zëvendësministri Hoxha ka thënë se aktiviteti i njerëzve të përfshirë në veprimtari ekstremiste është me interes të veçantë për mekanizmat e sigurisë.

“Ky aktivitet i kësaj kategorie të njerëzve – të cilët e kanë synim shkuarjen qoftë në luftëra të huaja apo ndërmarrjen e ndonjë akti tjetër – është interes i përbashkët i të gjitha shteteve që t’i koordinojnë aktivitetet dhe po e përsëris është një vazhdimësi e koordinimit të aktiviteteve të të gjithë mekanizmave të sigurisë, në radhë të parë të policisë dhe mekanizmave tjerë që operojnë në secilin shtet dhe që ka rezultuar me suksesin që ju po e përmendni, por që nuk është diçka e re, por vazhdimësi e aktiviteteve që kanë vazhduar dhe po vazhdojnë ndërmjet shteteve tona, kryesisht të rajonit, por edhe me shtetet tjera të Evropës”, ka thënë Hoxha për REL.

Por, ndërkohë, ekspertë të fushës thonë se humbjet e IS-it në Irak e Siri, por edhe në vende të tjera, bën që “të planifikohen nga ta sulme në vende të Evropës dhe rajon”.

Skënder Përteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se “grupi militant do të fillojë të shpërfaqë sulmet në vende të tjera jashtë Sirisë e Irakut”.

“Kjo organizatë, apo ky grup terrorist do të tentojë sërish të shpërfaq forcën e vet në formë tjetër. Kjo nënkupton se nuk do të ketë fuqi të kontrollojë territore, të sulmojë, por fuqinë e saj do të tentojë ta shpërfaq përmes sulmeve terroriste, qoftë në Evropë, qoftë në rajon në përgjithësi. Kjo do të ndodh kur ata të shohin si terren të përshtatshëm edhe ato vende ku ka ndikim shumë më të madh”, thotë Përteshi, duke shtuar se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë imune ndaj këtyre sulmeve të mundshme.

Aksioni i policive në rajon vije pikërisht në kohën kur autoritetet në Kosovë thanë se përmbi një vit nuk është shënuar asnjë shkuarje e qytetarëve të Kosovës në konfliktet në Siri dhe Irak.

Të paktën 35 veta janë dënuar nga gjykatat në Kosovë dhe një numër prej mbi 120 vetash janë arrestuar me dyshimet për rekrutim, nxitje dhe pjesëmarrje në luftërat e huaja.

Në trend Lajme

Më shumë
Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Në Pejë do të ndërtohet fabrika e parë për prodhimin e municioneve, me mbështetje amerikane

Lajme
I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët

I dyshuari për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, në mesin e personave nga ish-njësiti famëkeq, në mbrojtje të Vuçiqit nga studentët

Lajme
Qytetarët pranuan SMS me përmbajtje të rreme, u kërkohej pagesa për gjoba të pretenduara në trafik

Qytetarët pranuan SMS me përmbajtje të rreme, u kërkohej pagesa për gjoba të pretenduara në trafik

Lajme
“Bjeshkët në këtë fotografi nuk i takojnë Serbisë” - Ambasada gjermane përballet me komentuesit serb për bjeshkët e Kosovës

“Bjeshkët në këtë fotografi nuk i takojnë Serbisë” - Ambasada gjermane përballet me komentuesit serb për bjeshkët e Kosovës

Lajme
Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Lajme
Rutte njoftohet nga komandanti i KFOR-it rreth situatës së sigurisë në Kosovë

Rutte njoftohet nga komandanti i KFOR-it rreth situatës së sigurisë në Kosovë

Siguri
Kalo në kategori