LAJMI I FUNDIT:

Mosrespektimi i masave solli valën e dytë të COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Mosrespektimi i masave solli valën e dytë të COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Mosrespektimi i masave mbrojtëse ka çuar në rritjen e të infektuarve me koronavirusin e ri në Maqedoninë e Veriut, e cila tashmë ndodhet në valën e dytë të pandemisë, kanë deklaruar drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për vetëm dhjetë ditë në këtë vend janë regjistruar më shumë se 1,100 të sëmurë me sëmundjen COVID-19 (që e shkakton koronavirusi) nga rreth 3,150 sa janë infektuar, që nga paraqitja e rastit të parë, më 26 shkurt.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka deklaruar se sjellja e papërgjegjshme e shumë personave duhet të shërbejë si mësim që të mos lejohet përkeqësimin i mëtejmë i gjendjes.


“Mosrespektimi i masave për mbrojtje ka sjellë këtë valë të dytë të virusit në Maqedoninë e Veriut dhe konsiderojnë se të gjithë duhet të nxjerrim mësim nga kjo papërgjegjësi. Ne me shumë sukses arritëm të amortizojmë valën e parë dhe nuk kishim pasoja të theksuara, madje edhe shumë më mirë se disa vende të rajonit. Virusi është këtu, ai do të qëndrojë këtu, andaj edhe duhet të jetojmë më të, por me disiplinë dhe respektim të masave, në të kundërtën nuk do të mund të dalim nga kjo situatë”, ka deklaruar ministri Filipçe.

Por, bazuar në testet që kryhen, Maqedonia e Veriut, sipas vlerësimeve, nuk është në gjendje shumë më të keqe se shtetet tjera ku kryhen shumë herë më pak teste se në Shkup. Gjatë valës së dytë, për çdo ditë janë duke u testuar mesatarisht nga 1,000 mostra dhe prej tyre afër 100 po dalin pozitivë me COVID-19, ndërsa që në shtetet tjera numri i testeve mesatarisht sillet mes 200 dhe 300, ndërkohë që numri i të infektuarve arrin deri në 40 raste.

Veç kësaj nga testet e kryera, në veçanti të pacientëve në Shkup, shumica e tyre qenë asimptomatik ndërkohë që kanë dalë pozitivë me koronavirus.

“Gjashtëdhjetë për qind e numrit të përgjithshëm të rasteve aktive në Shkup janë asimptomatik, që është me rëndësi të kihet parasysh pasi të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm. Ditëve të fundit kemi shumë raste të tilla që mund shumë më lehtë të përhapin sëmundjen. Duhet t’i respektojmë masat, të ruajmë distancën fizike si dhe të mbajmë maska”, ka deklaruar Arben Ziberi, drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik në Shkup.

Mjekët apelojnë për kujdes, në veçanti nga një kategori e caktuar që ende nuk beson në sëmundjen COVID-19.

“Ne nuk duhet të lejojmë që të gjykojmë vet dhe në kohën kur e gjithë Evropa po bën lehtësime, ne të detyrohemi të bëjmë të kundërtën. Besoj se 20 për qind e popullatës nuk po na kupton seriozisht as neve e as sëmundjen. Vetëm ata që nuk kanë qenë brenda hapësirave të Klinikës Infektive nuk e dinë se çfarë atmosferë e rëndë mbretëron aty. Nuk është aq e thjeshtë të shohësh se si vdesin njerëzit, sikur që nuk është e lehtë të miraton masa që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve. Por, të gjithë ne duhet ta kuptojnë se respektimi i masave, po bëhet gjithkund në botë. Nevojitet unitet i të gjithë faktorët për të përballur me sukses këtë gjendje”, ka deklaruar Zharko Karaxhoski, drejtori i Komisionit për sëmundje infektive.

Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë testuar rreth 38,000 persona dhe nga ta janë rreth 3,600 raste pozitive. Raste aktive aktualisht janë rreth 1,400, ndërsa 156 persona kanë vdekur./REL/