"Mos i beso gjithçkaje që sheh në video”, Dren Gërguri paralajmëron nga deepfake

Në episodin e “Përballje Podcast”, gazetari dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ka folur për rrezikun që po sjell teknologjia e inteligjencës artificiale përmes videove të njohura si deepfake, të cilat po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes realitetit dhe manipulimit digjital.
Sipas Gërgurit, deepfake përfaqëson një nivel të ri të manipulimit të përmbajtjeve audio dhe video.
“Deepfake është çdo audio-video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku në shumicën e rasteve mund të paraqitet dikush që thotë diçka që në fakt nuk e ka thënë. Ose edhe mund të jetë komplet fiktive, e gjeneruar nga mjetet e inteligjencës artificiale", tha ai.
Ai theksoi se përparimet teknologjike e kanë bërë këtë fenomen edhe më të rrezikshëm se më parë.
“Përsosmëria që ka mbërritur sot deepfake është shumë më e lartë se sa vite më përpara, dhe kjo e bën pikërisht të vështirë që syri i njeriut të vërejë diçka nëse është mirë e punuar.”
Gërguri kujtoi se dikur gazetaria dhe publiku mund të mbështeteshin në disa shenja për të identifikuar manipulimet në video, por sot kjo është shumë më e vështirë.
- YouTube www.youtube.com
“Më herët ne diskutonim mënyrat se si gazetarët, në përgjithësi edhe në shoqëri, mund të kemi fokusin te disa elemente brenda videos, në mënyrë që ta vërejmë nëse është një sjellje jo natyrshme apo një veprim i jo natyrshëm. Por sot kjo është shumë më e vështirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, këto zhvillime kërkojnë që mediat dhe publiku të jenë shumë më të kujdesshëm me informacionet që konsumojnë e shpërndajnë. Videot e gjeneruara me inteligjencë artificiale, tha ai, “kanë potencialin të manipulojnë perceptimin e opinionit publik dhe të dëmtojnë besimin në media”.
Kjo temë u trajtua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që zhvillohet me synimin për të analizuar ndikimin dezinformimit në proceset demokratike të vendit. /Telegrafi/



















































