"Mos harroni të kaluarën nëse dëshironi një të ardhme të ndritur" - Nderohen viktimat e masakrës në Mitrovicë

Familjarë të viktimave përkujtuan sot tmerrin që përjetuan në natën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës.
Para 26 vitesh, nga një grup i armatosur i serbëve ishin vrarë dhjetë qytetarë shqiptarë si dhe ishin plagosur 25 të tjerë.
Pas natës së 4 shkurtit rreth 1,600 familje me rreth 11,500 banorë u shpërngulën nga pjesa veriore e Mitrovicës, pasi u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Të mërkurën e 4 shkurtit të vitit 2026 u vendos pllaka përkujtimore te ura për këmbësorë me emrat e të vrarëve nga bandat serbe.
“Mos harroni të kaluarën nëse dëshironi një të ardhme të ndritur” – ishte mbishkrimi me të kuqe, i bashkëngjitur te qindra fotografi të viktimave, dikush i shtrirë, tjetri me gjak e njëri me sytë e mbyllur, i vdekur.
Kësaj ekspozite të hapur në qendrën “Rexhep Mitrovica” i drejtoheshin qytetarë e familjarë të cilët plot mallëngjim vështronin të dashurit tyre.
Për ta përmbyllur ditën e sotme dhe duke i kujtuar përgjithmonë u ndezën pishtarët pranë pllakës përkujtimore.
I mbijeturi i masakrës së Mitrovicës, Luan Abrashi tregoi se e vrarë mbeti nëna e tij gjersa ai ishte në banesë bashkë me të dhe babanë gjatë bombardimeve.
“Ka qenë edhe nëna ime, Sebiha Abrashi. Ka qenë e organizuar shumë mirë nga ana e serbëve për spastrim etnik të shqiptarëve. Ka qenë natë e tmerrshme, vrasjet janë bërë pa dallim gjinie, pa dallim moshe, në mënyrën më barbare”- tha ai.
Se tmerri i natës mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 ndodhi para syve të ndërkombëtarëve e tha Abrashi, duke potencuar se drejtësi nuk pati asnjëherë për ata që u vranë, plagosën e u dëbuan.
“Fatkeqësia është se ende nuk ka drejtësi sa u përket viktimave të asaj nate. Ka qenë natë e tmerrshme sepse është bërë në prezencë të KFOR-it dhe UNMIK-ut. Kur ata është dashur të na japin siguri, ne kemi gjetur vdekjen në banesat tona”- theksoi i mbijeturi i masakrës të vitit 2000.
“Këto kanë ndodhur brenda shtëpive të tyre e jo në rrugë”
Kritika për organet e drejtësisë kishte edhe ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Halit Barani, i cili tha se jeta e viktimave nuk u shua në rrugë por në shtëpitë e tyre.
“Përkujtohet si natë e kobshme për popullin shqiptar që kanë jetuar në pjesën e okupuar të Mitrovicës. Vrasjet, plagosjet dhe keqtrajtimet kanë ndodhur brenda shtëpive të veta, jo rrugëve por brenda në banesa e shtëpi”- theksoi Barani.
Edhe pse e kishte kujtimin e freskët dhe kishte mjaft për të folur, Barani me disa fjalë përmblodhi tmerrin e 3 dhe 4 shkurtit 2000.
“Bandat kriminale çetnike serbe pushkatuan dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre një fëmijë 13-vjeçar, plagosën me armë zjarri 25 të tjerë e keqtrajtuan shumë rëndë fizikisht në mënyrën më barbare 93 shqiptarë, ku dy prej tyre më 27, 28 shkurt të vitit 2000 vdesin në Spitalin e Prishtinës”- shpjegoi ai.
Se qytetarët shqiptarë në veri të Mitrovicës janë vrarë e plagosur gjatë realizimit të planit famëkeq të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, e tha kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, raporton Kallxo.
“Institucionet e rendit dhe drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare duhet që sa më parë akterët të cilët kanë qenë organizatorët e këtyre krimeve sa më parë të jenë para sistemit të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”- potencoi Peci.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 26-vjetorin e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë.
Për të vrarët e asaj nate: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasin, ku 13-vjeç ishte më i riu e 65-vjeç më i moshuari, Kurti tha se do të duhet ende kohë që drejtësia për këtë rast të vihet në vend plotësisht.
Kurti shtoi se mbi 150 shtëpi janë ndërtuar dhe rindërtuar në katër komunat veriore të Kosovës vetëm gjatë katër viteve të fundit.
Ndërsa siç tha ai, mes qytetarëve që kanë përfituar nga investimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës në këtë drejtim është edhe Mustafë Behrami, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre.
E para e shtetit, Vjosa Osmani ka shkruar se ky përvjetor kujtohet me dhimbje dhe respekt të thellë si një nga plagët më të rënda të pasluftës.
Ajo ka shtuar se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit si dhe përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
Ndërkaq kryekuvendari Dimal Basha ka shkruar se dhimbja e atyre ditëve mbetet ende e gjallë në kujtesën kolektive.















































