Së fundmi, në rrjetet sociale po qarkullon me të madhe një video e këngëtares dhe deputetes Edona Llalloshi, e shkëputur nga një intervistë e vitit 2024.

Bëhet fjalë për një fragment nga paraqitja e saj në emisionin “Oxygen” me Besim Dinën, ku në një moment Edona i kërkon moderatorit që të mos i hyjë temës së politikës, duke theksuar se sipas saj “nuk ka lidhje me politikë”.


Në atë kohë, Edona ishte e njohur më shumë si artiste e përkushtuar ndaj muzikës, dhe për publikun ajo identifikohej kryesisht me karrierën e saj artistike.

Rezultati i Edona Llalloshit në zgjedhjet e 28 dhjetorit (Foto: KQZ)

Pikërisht kjo e kishte bërë që të dukej se nuk ishte shumë e përfshirë në zhvillimet politike — megjithatë, më pak se një vit pas asaj interviste, ajo vendosi të hynte në garë për deputete.

Në zgjedhjet e shkurtit 2025, Edona Llalloshi u zgjodh deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkohë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 28 dhjetor, ajo arriti të rizgjidhet sërish, duke kaluar shifrën prej mbi 41 mijë votash.

- YouTube youtu.be

Rikthimi i kësaj videoje ka nxitur komente të shumta në rrjete sociale, ku përdoruesit po e krahasojnë deklaratën e dikurshme të saj me rrugëtimin e sotëm politik — një shembull i qartë se sa shpejt mund të ndryshojnë prioritetet dhe drejtimet në karrierën publike. /Telegrafi/