Ikona italiane e kinemasë Monica Bellucci, 60 vjeçe, ka tërhequr vëmendjen në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Taormina, ku u shfaq e shoqëruar nga partneri i saj, regjisori i njohur Tim Burton, 66 vjeç.

Aktorja dukej mahnitëse me një fustan të zi elegant me dantella, i cili theksonte hijeshinë dhe klasin e saj të padiskutueshëm.


Me detaje dantelle në krahë dhe anash, si dhe palosje të buta në pjesën e fundit të fustanit, Monica solli një paraqitje dramatike, por të rafinuar. Veshjen e plotësoi me taka të zeza dhe një çantë të vogël elegante, shkruan DailyMail.

Tim Burton, gjithashtu i veshur me stil, zgjodhi një kostum të errët me kravatë, duke i dhënë çiftit një pamje të përkryer për natën gala.

Dyshja pozoi të buzëqeshur dhe të qetë, duke konfirmuar lidhjen e tyre që prej tetorit të vitit 2023.

Monica ishte në festival për të prezantuar shfaqjen e filmit klasik “Malèna” të Giuseppe Tornatores në Teatrin Antik Grek me kapacitet 4,500 vendesh.

Ky ishte një moment i veçantë për aktoren, e cila ndonëse vuan nga skenofobia, është kthyer në një figurë të fuqishme teatrore pas suksesit me “Maria Callas: Letra dhe Kujtime” — projekt që e çoi në turne ndërkombëtar.

Nga suksesi në skenë, te rolet e kinemasë dhe përfshirja e saj në “Beetlejuice Beetlejuice” nën regjinë e Tim Burton, Monica vazhdon të tregojë se klasi, talenti dhe fuqia femërore nuk kanë moshë.

Ndërkohë, Burton po përgatitet për publikimin e sezonit të dytë të serialit të suksesshëm “Wednesday” në Netflix, duke e bërë këtë çift një nga më interesantët në botën e artit dhe filmit sot. /Telegrafi/