Moment i rrallë në Kremlin - kryeministri armen i mbajti një leksion Putinit

Presidenti rus, Vladimir Putin, u përfshi në një situatë të pakëndshme gjatë një takimi në Kremlin, pasi kryeministri armen, Nikol Pashinyan, foli hapur për rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe qasjes së pakufizuar në rrjetet sociale.
Gjatë takimit, Pashinyan theksoi se Armenia është një shtet demokratik ku zgjedhjet zhvillohen rregullisht dhe me pjesëmarrje aktive të qytetarëve.
Ndërsa shprehte këto qëndrime, Putin, sipas pamjeve që dolën në publik, dukej i sikletosur, shikonte poshtë, lëvizte këmbët dhe me nervoz prekte duart.
“Sa i përket proceseve tona politike të brendshme, e dini që Armenia është një vend demokratik. Tek ne zgjedhjet zhvillohen rregullisht, dhe qytetarët votojnë lirshëm për ose kundër opsioneve politike”, tha Pashinyan.
Ai shtoi se qytetarët e Armenisë ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjen e pushtetit përmes zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se kjo është themeli i sistemit politik në vendin e tij.
“Na presin zgjedhjet parlamentare dhe jam i bindur se ato do të forcojnë më tej demokracinë dhe pushtetin e popullit në Armeni”, shtoi ai.
Vëmendje të veçantë tërhoqi deklarata e tij për lirinë e internetit, për të cilën tha se në Armeni është plotësisht e pakufizuar.
“Rrjetet tona sociale janë, për shembull, njëqind për qind të lira. Nuk ka asnjë kufizim”, tha Pashinyan, të cilën shumë e interpretuan si një kritikë indirekte ndaj Rusisë.
Në fakt, Rusia gjatë muajve të fundit është përballur me akuza për kontroll të shtuar të internetit dhe kufizim të qasjes në rrjetet sociale. Pas miratimit të ligjit që u lejon autoriteteve të shkëputin internetin sipas nevojës, në qytete të mëdha si Moska dhe Shën Petersburgu janë regjistruar ndërprerje të shpeshta të rrjetit.
Kritikët thonë se autoritetet përdorin këto masa për të shtypur pakënaqësinë politike dhe për të penguar organizimin e opozitës, ndërsa Kremlini i mohon këto akuza.
Putin, i cili është në pushtet më shumë se dy dekada, u rizgjodh në vitin 2024 me, sipas zyrtarëve, 87 për qind të votave. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se opozita në Rusi vepron në kushte shumë të kufizuara, me presione të shpeshta, arrestime dhe mërgim të kundërshtarëve politikë. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com


















































