Mjerë erotizmi shqiptar!
Prej kohësh kam theksuar me gojë e me shkrim - këtë e them jo për lavdi personale, por për t’i qëndruar besnik së vërtetës objektive - se populli shqiptar ende është njëri prej popujve më erotikë të kontinentit evropian, në mos të rruzullit tokësor.
Përveç kësaj, në kuadrin e lëvizjeve mërgimtare të popullsive në këtë fillimshekull të trazuar dhe, veçanërisht, të vërshimit të refugjatëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian për shkak konfliktesh të armatosura që nga Afganistani deri në Libi, duke kaluar përmes Pakistanit, Irakut e Sirisë, kam hedhur tezën se i vetmi mërgim që mund t’u dalë për mbarë shqiptarëve të sotëm është “mërgimi erotik”, një shans ky shumë premtues që ata të shkojnë e të vendosen në vendet më të zhvilluara të BE-së, si Gjermania, për shembull, jo vetëm për një jetë më të mirë, por me misionin tejet bamirës të ripërtëritjes së popullsisë së plakur të këtyre vendeve.
Po matesha që këtë ide t’ua shtija me shumë takt në mendje autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian, të Këshillit të Evropës, të Parlamentit e të Komisionit Evropian jo vetëm nëpërmjet shkrimeve e bisedave të mia imagjinare me përfaqësuesit më në zë të këtyre institucioneve të nderuara, por edhe falë ndërhyrjes së domosdoshme, po aq të imagjinuar, të Frymës së Shenjtë, sidomos tani që u shenjtërua edhe Nënë Tereza, kur ja, ndodhi gjëma gjëmimtare: një kryetar bashkie në Dibër dhe, pas disa muajsh, tani vonë, një pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës, shpërdorojnë postin e tyre duke ndërmarrë, me qëllime fitimprurëse tejet të pamoralshme, veprime të padenja dhe denigruese për erotizmin e ndershëm shqiptar.
Ç’fatkeqësi e mynxyrshme! Erotizmit 24 karat të popullit tonë ndër shekuj iu vu kështu një damkë e pamerituar! Oh, bashkatdhetarët e mi të gjorë, erotizmi juaj (dhe i imi njëkohësisht) që u bëri ballë trimërisht pushtuesve të huaj të njëpasnjëshëm, si edhe diktaturës së llahtarshme enveriste, persekutimeve, burgosjeve e internimeve mizore nga ana e saj, gjithmonë ka pasur në themelet e tij të ndershme qejfin në emër të qejfit të pastër e të ndërsjellë, pra, epshin në emër të epshit të kulluar e të realizuar me konsensus, pa asnjë lidhje me paranë e fëlliqur, pa asnjë lidhje gjithashtu me korrupsionin pervers të atyre që vetëm fëlligështia mor(h)ale arrin t’ua ngrejë e t’ua forcojë karotën e krimbur që kanë në fund të barkut, të cilën as lepujt e uritur nuk ua begenisin, qoftë edhe kur i japin fund ndonjë greve të gjatë e të mundimshme urie, etjeje e seksi njëherazi.
Me veprimet e tyre të shëmtuara, dy personazhet e lartpërmendur i vunë erotizmit tonë kombëtar një njollë në biografinë e tij të lavdërueshme dhe, o kulm i fatkeqësisë, dje mora vesh se Organizata Ndërkombëtare “Homo Eroticus”, anëtarë të së cilës janë edhe shqiptarët erotikisht të ndershëm, ka vendosur të marrë disa masa të rrepta ndëshkuese ndaj seksionit të tyre në gjirin e saj:
1. Ndryshimin e statusit të tij nga strukturë me të drejtë vendimmarrëse në hallkë me të drejtë këshillimore;
2. Përjashtimin e përfaqësuesit shqiptar nga Kryesia e Kongresit të saj;
3. Anulimin e vendimit për mbajtjen e Kongresit të saj të 69 në Tiranë dhe zhvillimin e këtij Kongresi në Prishtinë;
4. Anulimin e grantit prej 10 milionë eurosh për ndërtimin në Tiranë të një kompleksi erotik modern e model me seks-shope, njësi prodhimi viagre, cialisi e levitre, vibratorësh, prezervativësh me ngjyra e shije frutash etj., etj. Nga ana tjetër, Organizata Ndërkombëtare “Homo Eroticus” paralajmëron qeverinë shqiptare se çdo veprim tjetër nga ana e qeveritarëve shqiptarë të pushtetit qendror e vendor që bie ndesh me interesat e larta të zhvillimit të ndershëm, e të harmonishëm e transparent të erotizmit humanist e bamirës në Shqipëri, do të sjellë pasoja të rënda për vetë potencën seksuale të pushtetarëve shqiptarë, nga të cilët një numër i caktuar kurohen tashmë falas me gjithë bashkëshortet, të fejuarat, të dashurat apo partneret e tyre në klinikat më të specializuara të SHBAsë, Brazilit, Britanisë së Madhe, Suedisë e të Afrikës së Jugut, madje edhe në një bazë ndërplanetare ruse, ku mungesa e rëndesës ka dhënë deri më sot rezultate premtuese në eliminimin e plotë të impotencës në fjalë, e cila, po të mos kurohet te çdo homo politicus të pozitës apo të opozitës, mund të sjellë pasoja të rënda të pashmangshme për të ardhmen e erotizmit shqiptar të ndershëm, por, mjerisht, edhe të dëshpëruar aktualisht. /Panorama/






























