Ndihmës sekretari i SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Wess Mitchell, pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se SHBA-të dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë miqësore dhe se kjo administratë do të vazhdojë të thellojë këtë miqësi edhe më tej.
“SHBA-të janë për një Kosovë demokratike dhe shumë etnike. Do ta kemi një rol shumë aktiv vitin e ardhshëm dhe do të angazhohemi për mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”, ka thënë Mitchell.
I pyetur rreth raportimit të mediave serbe se ai ka ardhur këtu që të shpalos një plan të veçantë për Kosovën, Mitchell ka mohuar një gjë të tillë.
“E kam parë atë spekulim gjatë rrugëtimit tim këtu, mund të ju them se nuk kam ardhur këtu të shpalos ndonjë plan të veçantë por të angazhohem me Kosovën dhe Serbinë që të jap përkrahjen për një të ardhme të përbashkët drejt anëtarësimit në BE”, tha Mitchell.
Ai tha se Kosova ka bërë përparime të mëdha si shtet i ri.
“Vlerësojmë lartë luftën e Kosovës dhe bashkëpunimin e mirë që keni në luftën kundër terrorizmi dhe ISIS-it. Kosova ka shënuar 10 vjetorin e saj si shtet dhe ka arritur shumë si shtet, duke treguar një arritje të mëdha në ekonomi. Kosova duhet të marr hapa të rëndësishme për të siguruar rrugën drejt integrimit evropian. Gjithashtu ajo duhet të zgjidh çështjen e kufirit me Malin e Zi”, ka thënë ai. /Telegrafi/