Site icon Telegrafi

“Më mirë në vorr se sa horr!”

Kolonel Gani Kryeziu

Nga: Bajram Mjeku

Ngjarja për të cilën shkruaj sot, ka ndodhur në vitin 1949 në Gjakovë dhe është rrëfim autentik i mikut tim Gani Perollim me origjinë nga fshati Perollaj i Hasit të Shqipërisë, i cili atëbotë ishte fare fëmijë. Një vit më parë, në tetor të vitit 1948, babai i tij Hamit Perolli, i cili i përkiste Rezistencës antikomuniste, u detyrua që së bashku me familjen e tij të braktiste Shqipërinë dhe të vendosej në Gjakovë.

Gani Perolli tashmë është në moshë të shtyer dhe për shkaqe politike gjithë jetën e shkoi në mërgim. Ai dhe familja e tij jeton në Nju-Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për herë të parë bëhet publike biseda e babait të tij Hamitit me ish-udhëheqësin e Lidhjes Komuniste në Kosovë, Fadil Hoxha. Biseda ka ndodhur në vitin 1949 në Qarshinë e Vogël në Gjakovë, ku jetonte përkohësisht edhe familja Perolli. Hamit Perolli, së bashku me djalin e tij Ganiun, derisa ky i fundit atëbotë ishte fare fëmijë, ishin duke shëtitur në Gjakovë teksa afër tyre do të kalonte Fadil Hoxha. Ky i fundit e njihte mirë Hamit Perollin, si mik dhe bashkëpunëtor i vëllezërve Kryeziu, më saktë i kolonel Gani Bej Kryeziut. Biseda midis Hamit Perollit dhe Fadil Hoxhës ndodhi kështu:

Fadil Hoxha: Tungjatjeta Hamit!
Hamit Perolli: Tungjatjeta Fadil!
Fadil Hoxha: Je largua nga Shqipnia edhe ti?
Hamit Perolli: Po, u largova Fadil …
Fadil Hoxha: A t’u dhimbsën Kryezinjët?
Hamit Perolli: Pse, çka ka ndodhë me Kryezinjtë?!
Fadil Hoxha: Na shpëtoi vetëm Saidi, sepse Kryezinjët tjerë nuk do ta shohin diellin në këtë botë!

Jemi në kohën kur Gani Kryeziu ende nuk ishte likuiduar dhe më vonë u mor vesh se ishte dënuar me pesë vjet burg të rëndë me urdhër të ish-ministrit të Brendshëm të Federatës jugosllave, tiranit serb, Aleksandar Rankoviq. Ky i fundit kishte marrë urdhër që ta burgoste Gani Kryeziun nga gjeneral Petar Brajeviqi, i cili kishte planifikuar që Gani Kryeziun ta dënonte me vdekje dhe për këtë shprehet kështu: “Ditën e tretë të gjykimit u lajmërua Aleksandar Rankoviqi dhe më pyeti se si do të zhvillohet gjyqi?” dhe gjeneral Brajeviç u përgjigj: “Dënim me vdekje!”, por Aleksandar Rankoviç i tha Petar Brajeviçit se “për shkak të intervenimit të një shteti aleat të Jugosllavisë komuniste (me gjasë të anglezëve), Kryeziu duhet shikuar përmes gishtave!”.

Shtrohet pyetja: Si e dinte Fadil Hoxha që Gani Kryeziu nuk do të dilte i gjallë nga burgu? Për këtë dëshmojnë më së miri arkivat britanike dhe, sipas tyre, del se Aleksandar Rankoviqi do t’i dërgonte telegram Miladin Popoviqit dhe Fadil Hoxhës. Në telegram thuhej kështu: “Urgjentisht na lajmëroni pse e burgosët Gani Beun dhe pse e pushkatuat vëllain e tij Hasanin së bashku me njëzetedy shoqëruesit e tij. Depeshet tuaja janë shumë të shkurtra dhe nuk i shfrytëzoni sa duhet radiolidhjet…”. Kjo korrespondencë atëbotë ishte shumë sekrete brenda qarqeve të udhëheqjes komuniste të Jugosllavisë. Edhe për vrasjen e Hasan Kryeziut nuk kishte informacion as Inteligjenca angleze, pasi kërkonin lirimin e tij!

Se ç’rol kishte Fadil Hoxha në eliminimin e Kryezinjëve, flet më së miri letra e tij drejtuar Liri Gegës më 23 shtator të vitit 1944, i cili për vëllezërit Kryeziu shprehej kështu: “Nuk kanë besim se me çlirimin e Jugosllavisë, Kosova do ta fitojë lirinë dhe Kosovën e quajnë pjesë të pandame të Shqipnisë”. Fadil Hoxha përmes letrës drejtuar Liri Gegës veçse konfirmon frymën e vëllezërve Kryeziu për një Kosovë të bashkuar me Shqipërinë.

Ata që ishin në burg me Gani Kryeziun, dëshmojnë më së miri për qëndrimin dinjitoz të tij. Ai u miqësua edhe me Shaqë Currin i cili familjes Kryeziu ia kishte djegë kullën dhe odat në Gjakovë, por që Gani Kryeziu e kishte falur dhe shoqërohej me të gjatë qëndrimit në burg. Njësoj në Nju-Jork edhe vëllai i vogël i Ganiut, Said Kryeziu, njëri nga udhëhëqësit kryesorë të Komitetit “Shqipnia e Lirë”, shoqërohej me Mehmet Agë Rashkocin i cili së bashku me Shaqë Currin kishte marrë pjesë në djegien e pronave të Kryezinjëve!

Gjatë qëndrimit të tij në burgun e Mitrovicës së Sremit, Gani Kryeziu pati oferta nga udhëheqja jugosllave për rrëzimin e pushtetit në Shqipëri, më saktë nga Slobodan Peneziqi i njohur me nofkën “Kërcun”. Peneziqi ishte njeriu i dytë në hierarkinë e UDB-së jugosllave, por që të gjitha këto i refuzoi Gani Kryeziu derisa të burgosurve shqiptarë u thoshte: “Më mirë në vorr se sa horr!”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version