MINTI gjen parregullsi në njehsorë, paralajmëron gjoba për KEDS-in

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar masat për mbrojtjen e konsumatorëve në lidhje me verifikimin e njehsorëve elektrikë.
Pas verifikimit të parë, janë gjetur devijime në datë dhe orë, por matja e energjisë elektrike është në rregull.
MINTI do të kërkojë masa nga ZRRE dhe do të shqiptojë gjoba ndaj KEDS-it për shkelje të rregullave.
Sipas njoftimit të MINT, pas themelimit të një komisioni ad hoc për verifikimin e këtyre pajisjeve, procesi është duke vazhduar me ritëm të shtuar.
Nga rezultatet e deritanishme janë konstatuar disa gjetje kryesore. Fillimisht, është vërtetuar se një pjesë e njehsorëve kanë pasur afat të skaduar të vlefshmërisë. Po ashtu, janë evidentuar devijime kohore, si në datë prej rreth 2–3 ditësh, ashtu edhe në orë prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë parashtruar ankesa në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ju njofton se procesi i verifikimit është duke vazhduar me intensitet të lartë. Pas verifikimit laboratorik në
Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:
• Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;
• Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;
• Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;
• Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;
• Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.
Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.
Për informimin tuaj të drejtë, ju konfirmojmë se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin.
MINTI mbetet e përkushtuar të trajtojë çdo ankesë të konsumatorit, të bazuar në fakte, dhe në përputhje me gjetjet e verifikimit do të ndërmarrë masa ligjore.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të parashtrojnë ankesat e tyre në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net, duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.



















































