Mimoza Ahmeti refuzoi t’i jepte autograf Egla Cenos, reagon aktorja: Nëse një lexues nuk e meriton një dedikim, pse ta marrë librin?

Një moment i sikletshëm ndodhi një natë më parë në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ku poetja Mimoza Ahmeti refuzoi t’i jepte autograf aktores Egla Ceno gjatë transmetimit live.
Gjatë pjesës së intervistës, Ceno i kërkoi poetes që t’i vendoste një firmë në një nga librat që kishte sjellë me vete, por Ahmeti refuzoi prerazi, duke u shprehur se ato kopje i kishte për përdorim personal dhe pune.

Më poshtë, pjesë nga dialogu mes tyre: Egla: A mund të më vendosësh një autograf?
Mimoza: Më fal, ky është libri që solla unë?
Egla: Kam përshtypjen po.
Mimoza: Këto i kam për punë.
Egla: A mund t’i blejmë këto?
Mimoza: Jo, e kam për punë.
Kleoniki: A kanë ndryshim këto libra me të tjerë që keni?
Mimoza: Kam udhëtime për të bërë. Do shkoj në Gjermani, nuk do të blej libra. Nuk i dhuroj njeriu libra. Duhet të ketë bërë të pamundurën për mua që t’i dhuroj libra.
Pas incidentit, Egla Ceno reagoi ashpër në rrjetet sociale me një letër publike drejtuar Mimoza Ahmetit, duke e cilësuar qëndrimin e saj si përbuzës dhe plot narçizëm:
“E dashur Moza, ose më saktë: Moza që u ngrit mbi dorëshkrimet e një epoke, që hëngri metafora me lugë floriri e na mësoi të mos i kërkojmë dedikim poetëve, sepse ata janë mbi ne - si retë, si mjegulla, si keqkuptimi.
Po të shkruaj një letër publike nga fundi i një shtrati spitali ku shtrirë është nëna ime, sepse… le të themi që ti e meriton.
Moza e dashur, të ndoqa me kureshtje naive (impenjimi do kishte qenë i tepërt) gjatë intervistës që më ra për pjesë të të bëj, ku erdhe bashkë me librin tënd, plot 5 kopje, ndoshta për ta treguar, ndoshta për ta lexuar, ndoshta thjesht për të patur diçka që të mbash në dorë.
Unë në një akt njerëzor tu afrova me stilolaps në dorë, me lutjen e heshtur të një lexuesi që kërkon një dedikim dhe ti nuk ma dhe. Keqardhje? Jo. Habi? As që bëhet fjalë. Ti je artiste dhe siç e dimë tashmë, artistët nuk janë të detyruar të jenë njerëz.
E pra, Moza e madhe, nëse një lexues nuk e meriton një dedikim, pse ta marrë librin? Dhe nëse një autore nuk e sheh të arsyeshme të bëjë një dedikim, pse ta sjellë librin në televizor? Sepse, në fund të fundit, kjo është një simfoni hipokrizie e shoqëruar me simptoma të një narçizmi të veshur me “poezi” dhe ftohtësi që as metaforat nuk e ngrohin dot.
Ti nuk më le dot si “pemë”, më le si dikë që po i kërkonte dedikim dikujt që ka stil përbuzjen si art. Dhe ky është zhanër më vete.
Me përshëndetje të përmbajtura,
Një lexuese që do poezi, por jo pa njerëzi.”
Pas publikimit të letrës, komentet në rrjet u mbushën me përkrahje për Egla Ceno, me shumë ndjekës që vlerësuan reagimin e saj si të matur dhe me shumë edukatë përballë një qëndrimi që e konsideruan arrogant dhe të papërshtatshëm nga poetja. /Telegrafi/


























































