Në qendër të Lipjanit prej vitesh janë bashkuar sporti dhe arsimi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Në këtë qytet jeton një trajner i dalluar i futbollit i cili mishëron përkushtimin, pasionin dhe disiplinën, duke e ndarë jetën e tij në mes të tri profesioneve. Kjo ka bërë që ai të jetë shembull dhe frymëzues për të rinjtë e qytetit të Lipjanit.

Ky është Milot Rexhepi mësimdhënës i edukimit sportiv në shkollën e mesme “Adem Gllavica” në Lipjan i cili njëkohësisht është edhe trajner i përkushtuar në futboll me grupmosha të reja në klubin “Ulpiana”. Rexhepi është edhe një gjyqtar i respektuar i futsallit për Ligën e Kosovës.


Për Rexhepin, këto pozita i ka arritur me punë e përkushtim pasi që sportin e kishte pasion që nga fëmijëria.

Rexhepi është i diplomuar në master në shkencat sportive, andaj pasionin e kishte të zhvillonte jo vetëm aftësitë fizike të sportistëve por edhe karakterin e tyre.

“Profesioni në të cilin jam përcaktuar dhe e kam zgjedhur që nga fëmijëria dhe e kam vazhduar dhe kam studiuar, sot më mundëson që t'i ushtroj që të tri këto profesione njëkohësisht. Nuk është e lehtë, por është në kuadër të profesionit tim dhe sigurisht që e kam ma lehtë t'i përballoj këtyre sfidave, nëse mund t'i quaj. Futbolli si sporti më masiv në Kosovë, si çdo i ri në Kosovë është e pamundur t'i ikë kësaj ngjarjeje dhe unë, ashtu si pasionantë qysh i ri, jam marrë me futboll këtu në komunën time në Lipjan”, ka rrëfyer Rexhepi.

viber image 2024 12 31 12 29 21 889

Historia e Milot Rexhepit është një dëshmi se me pasion e angazhim ka realizuar ëndrrat, ndërkaq përmes pozitave si mësimdhënës, trajner, e gjyqtar ai ka ndikuar në zhvillimin e të rinjve duke i motivuar që edhe ata t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

Rexhepi tregon se në klubin “Ulpiana” në Lipjan është zhvilluar mjaftë shumë dhe me kalimin e kohës ka studiuar drejtimet e edukimit fizik.

“Kam të përfunduar nivelin master dhe njëkohësisht punoj edhe si mësimdhënës tash e njëzet vite në shkollën e mesme, Adem Gllavica, në Lipjan. Të edukuarit është proces i cili duhet punuar shumë dhe angazhuar shumë. Profesioni im si trajner dhe si lojtar është arritur vetëm përmes punës dhe disiplinës. Shkolla e futbollit “Ulpiana “ është një prej shkollave më renome. Si klub jemi shumë i vjetër dhe në kuadër të shkollës së futbollit, janë të gjitha grupmoshat e përfshira që nga ato fillestare deri tek ato më të mëdha në U 17 dhe U 19”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi si profesionist i kësaj pune zakonisht ka veçuar të punon vetëm me grup-mosha të reja fillestare, për arsyeje se aty kërkohet puna më e madhe pasi që janë hapat e parë kur fëmijët duhet t'i marrin dhe të drejtohen për karrierën e tyre.

viber image 2024 12 31 12 29 46 381

“Unë provoj dhe përpiqem që bashkë edhe me kolegët e mi të bëjmë më të mirën e mundshme për këta fëmijë. Aktualisht tek ne që nga mosha 16 vjeçare pranojmë regjistrimet e para deri në moshën 19 vjeçare.  Gjashtëvjeçaret janë ata fillestarët, kur edhe fillojnë hapat e para dhe kontaktin e parë me topin dhe është shumë me rëndësi edukimi i drejtë i tyre që nga fillimi, që nga starti i tyre. Çdo fëmijë ka një talent, çdo fëmijë ka elemente. Ne çka vërejmë, çka shohim te ta, janë hapat në lëvizjet e para, të ecurit, të vrapuarit, kontakti me top, orientimi në fushë, bashkëpunimi me shokë dhe shumë elemente tjera që ne mund t'i vërejmë si profesionistë qysh në startin e tyre”, thotë më tej Rexhepi.

Rexhepi më tej tregon se me kalimin e kohës ata fokusohen më shumë në përpunimin dhe avancimin e teknikës dhe lojës me top dhe gjërave tjera përcjellëse që ju ndihmon për tu formuar si futbollist.

viber image 2024 12 31 12 29 46 792

“Misioni im është edukimi, domethënë që në start, kudo që jam, domethënë unë e kam për mision edukimin dhe arsimimin, si në shkollë të futbollit, si në shkollën e mesme atje ku punoj. Zeja e gjyqtarit ka lindë si reflektim dhe nga pasioni i madh për sportin, unë jam njohës i mirë i rregullave të lojës së futbollit dhe të futsallit njëkohësisht.  Dhe, si rezultat i kësaj kanë tash e njëmbëdhjetë vite që e ushtroj edhe zejen e futsallit, pasi që jam pasionant i rregullave dhe i disiplinës, gjë që ma ka mundësuar marrja me sport dhe vazhdoj të jem”, bënë me dije Rexhepi.

Ai shpjegon se të jesh gjyqtar i futsallit është shumë argëtuese dhe sfiduese në të njëjtën kohë derisa aty përkushtohet për të menaxhuar një lojë e cila ka rregulla.

viber image 2024 12 31 12 29 46 609

“Pra, mbikëqyrja dhe zbatimi i rregullave është misioni i gjyqtarëve. Të marrësh vendime aty për aty është një prej sfidave më të rëndësishme për një gjyqtar. Futsalli si lojë dinamike e shpejtë, sigurisht që ka edhe veçoritë e veta, specifikat e veta të veçanta por që me punë dhe angazhim ia dalim”, ka shtuar Rerxhepi. /Telegrafi/