Milani dërgon ofertën e fundit te Club Brugge për Ardon Jasharin

Milani ka bërë të qartë se oferta e tyre e fundit për mesfushorin e Club Brugge, Ardon Jashari, është përfundimtare dhe nuk do të përmirësohet më tej, raportojnë mediat italiane.
Negociatat mes palëve kanë zgjatur prej javësh, me klubin kuqezi që është i vetëdijshëm për dëshirën e lojtarit për t’u bashkuar me Milanin – skuadër që ai e ka ndjekur që prej moshës 8-vjeçare, kur ndoqi një ndeshje në “San Siro”.
Shpresat e Milanit janë që pikërisht vullneti i Jasharit të bëjë diferencën në këtë fazë të negociatave, pasi Club Brugge vazhdon të qëndrojë i palëkundur në kërkesat e tij.
Sipas Sport Mediaset, Rossonerët kanë ofruar 32.5 milionë euro plus 5.5 milionë euro bonuse, duke e çuar vlerën totale të ofertës në 38 milionë euro – shumë afër çmimit të kërkuar prej 40 milionë eurosh nga klubi belg.
Në ndërkohë, Jashari nuk ka marrë pjesë në ndeshjet miqësore parasezonale me Bruggen, pasi dëshiron të finalizojë sa më shpejt transferimin e tij te Milani. /Telegrafi/











































