Studio i Xbox, The Initiative, që punonte në versionin modern të video-lojës "Perfect Dark", është në fazën e mbylljes, që do të thotë se zhvillimi i këtij titulli po ndërpritet.

Mbyllja e këtij studioje është pjesë e shkurtimeve më të mëdha që Microsoft po bën në të gjitha degët e veta, duke ndikuar në rreth katër për qind të forcës globale të punës së këtij gjiganti teknologjik.


Vendimi për mbylljen e studios The Initiative është marrë pas anulimit të video-lojës "Perfect Dark", dhe jo e kundërta.

“Ne kemi vendosur të ndalojmë zhvillimin e video-lojërave ‘Perfect Dark’ dhe ‘Everwild’, si dhe të mbyllim disa projekte të paprezantuara në portofolin tonë. Si pjesë e kësaj, po mbyllim studion The Initiative,” tha Matt Booty, shefi i Xbox Game Studios.

Video-loja e Rare, "Everwild", më parë ishte përmendur si një nga projektet e prekur nga shkarkimet në Microsoft. Ajo u prezantua në vitin 2019, por zhvillimi i saj ka qenë problematik, madje edhe pasi u rifilluar nga e para në vitin 2021.

Video-loja "Perfect Dark" bazohet në lojën e vjetër me të njëjtin emër nga Rare dhe pritej të ishte projekti i parë i studios The Initiative. Ajo u zhvillua në partneritet me Crystal Dynamics dhe pamjet e para të gameplayt u prezantuan në vitin 2024.

Ndërsa anulimet e video-lojërave janë rezultati më i dukshëm i shkarkimeve në Microsoft, duket se shumë zhvillues do të preken në një mënyrë apo tjetër.

Studio Raven, që qëndron pas video-lojës "Call of Duty", po përballet gjithashtu me shkarkime, ashtu si dhe Turn 10, zhvilluesi i lojës "Forza Motorsport", i cili mund të humbasë 50 për qind të stafit të tij. /Telegrafi/