Vapa përvëluese e ka përfshirë vendin sërish dhe në këto ditë të nxehta, gjendemi shpesh në situata të bezdisshme.

Sado që mundohemi të ndihemi të freskët, temperaturat e larta janë të pashmangshme.


Këto sjellin jo vetëm parehati fizike, por edhe sfida për ta përballuar ditën, sidomos për ata që nuk e durojnë mirë vapën.

Njerëzit janë përpjekur të qëndrojnë të freskët me klimat ndezur në maksimum dhe me veshje sa më të lehta që rrethanat lejojnë.

Por në një situatë kaq ekstreme, lind pyetja: Çfarë mund të bëjmë realisht për ta përballuar më lehtë të nxehtin, pa u detyruar të anulojmë jetën shoqërore apo të rrimë të mbyllur në shtëpi tërë ditën?

Në një diskutim në forumin “Ask A Brit” në Reddit, dikush kërkoi ndihmë nga komuniteti:

“A keni ndonjë truk për vapën? Meqë vera po vjen, a mund të ndani ndonjë këshillë që me të vërtetë funksionon për të mbajtur veten dhe shtëpinë të freskët? Ju lutem mos më thoni ‘përballoje’ apo ‘s’është aq keq’, sepse unë nuk e përballoj dot vapën dhe s’më ndihmojnë komentet ironike.”

Përdoruesit nisën të ndajnë truket e tyre më të mira — disa të thjeshta, disa më kreative.

Këshilla që vërtet funksionojnë për të përballuar të nxehtin:

"Mbani perdet dhe roletat mbyllur", sidomos gjatë orëve më të nxehta të ditës. Kjo ndihmon që nxehtësia të mos hyjë në shtëpi, dhe në këtë mënyrë, ambienti brenda mbetet më freskët. Kjo gjithashtu lehtëson punën e ventilatorëve apo kondicionerëve për të ruajtur një temperaturë të këndshme.

Një tjetër këshillë interesante ishte:

"Vendos një enë me akull përpara ventilatorit" – kështu krijohet një lloj klime artificiale që e freskon ajrin që qarkullon. Kujdes të mos mbushësh shumë kupën ose tasin që të mos derdhet.

Megjithatë, ishte një truk italian që tërhoqi më shumë vëmendje në diskutim. Një komentues tha:

“Pashë një video (nuk më kujtohet ku saktësisht – ndoshta Itali apo Ballkan) ku disa të moshuar rrinin ulur dhe bisedonin normalisht, ndërkohë që mbanin këmbët në një legen me ujë të ftohtë. E provova. Ishte fantastike!”

Një grua u përgjigj:

“Funksionon vërtet! Kur isha shtatzënë 7 muajsh dhe isha në Sicili me 40 gradë, më ndihmoi shumë për të zbutur enjtjen e këmbëve.”

Një alternativë më praktike që përmend dikush tjetër është:

“Thjesht lani kyçet e duarve me ujë të ftohtë në lavaman – bën të njëjtin efekt.”

Një komentues tjetër shtoi:

“Kolegët mendonin se isha i çmendur që mbaja një legen me ujë të ftohtë (dhe një peshqir) poshtë tavolinës së zyrës për këmbët... derisa e provuan vetë! Më pas më duhej ta mbyllja legenin me çelës në sirtar që të mos ma merrnin!”

Dhe së fundi, një këshillë tjetër e thjeshtë por efikase:

“Një dush i shpejtë me ujë të ftohtë – ndihesh si njeri i ri pas tij”. /Telegrafi/