Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me kryeministrin dhe institucionet legjitime të këtij vendi.
Kjo deklaratë e Metës vjen si reagim pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se ia ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Meta në reagimin e tij ka thënë se situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Albin Kurti.
“Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate. Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ish-presidenti shqiptar në Facebook.
Ai ka shtuar se zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet tek respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
“Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa tek Z. Vuçiq nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën”.
“Z. Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës”, ka përfunduar Meta. /Telegrafi/