Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e quan “një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për stabilitetin në rajon”, sulmin e Iranit me raketa ndaj dy bazave amerikane në Irak.

Meta rithekson përkushtimin e Shqipërisë në krah të SHBA-ve dhe aleatëve të NATO, në luftën kundër terrorizmit dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë.


Duke komentuar deklaratën e liderit fetar iranian Ali Khamenei, Meta tha se  "Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta".

Deklarata e Metës:"Raketat e lëshuara nga Irani drejt dy bazave ushtarake irakiane që strehojnë ushtarakë amerikanë dhe personel të koalicionit, janë një veprim provokues me pasoja të rrezikshme për rajonin dhe stabilitetin e tij. Irani duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet ndërkombetare dhe detyrimet e tyre në interes të paqes. Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Prej dy dekadash Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe vendeve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë", ka deklaruar Meta.