Mësohen kundërshtarët e mundshëm të Dritës në fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës

Drita tashmë ka siguruar kualifikimin në fazën ‘play-off’ të Ligës së Konferencës, një arritje historike për futbollin kosovar.
Klubi gjilanas sot (e enjte) zhvilloi ndeshjen e fundit të fazës së ligës, duke u mposhtur me rezultat 3-0 nga Rayo Vallecano.
Me të përfunduar të gjitha ndeshjet e kësaj faze, tashmë është e ditur se me kë mund të ndeshet Drita në fazën e ‘play-off’-it.
Të besuarit e Zekirija Ramadanit përballë do ta kenë njërën prej Celje ose AZ Alkmaar.
Vlen të theksohet se Drita fazën e ligës e përfundoi në pozitën e 20-të në tabelë me gjithsej tetë pikë të grumbulluara.
Në gjashtë ndeshje të zhvilluara, Drita pati dy barazime, dy fitore dhe dy humbje.
Ndeshjet e 'play-off'-it të Ligës së Konferencës do të luhen më datat 19-26 shkurt, ndërsa shorti do të hidhet më 31 janar./Telegrafi/













































