LAJMI I FUNDIT:

Mesazhi i plotë i Thaçit për qytetarët e Kosovës (Video)

Mesazhi i plotë i Thaçit për qytetarët e Kosovës (Video)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një videomesazhi i është drejtuar qytetarëve të vendit për zhvillimet e fundit në vend.

Më poshtë lexojeni të plotë mesazhin e presidentit Thaçi:

Të dashur qytetarë,


Shteti jonë, Kosova, po shënon rezultate të mëdha në konsolidimin dhe forcimin e identitetit shtetëror.

Kosova është e njohur nga 112 shtete dhe është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare.

Viti 2016 është viti evropian për ne.

Përmbyllëm marrëveshjen e MSA-së dhe morëm rekomandimin për liberalizimin e vizave, u anëtarësuam në UEFA dhe FIFA.

Morëm pjesë për herë të parë në Olimpiadë dhe u kthyem me medalje të artë.

Kosova u bë kampione olimpike.

Faleminderit Majlindë, krenohemi me ty.

Përfaqësuesja e futbollit kosovar në ditët e ardhshme do të fillojë garat në kuadër të kualifikimeve për
kampionatin evropian dhe botëror.

Besojmë në talentet kosovarë, të cilët janë bërë krenaria e jonë në çdo cep të botës.

Besojmë në bashkimin tuaj, sukseset dhe fitoret tuaja.

Ashtu siç e ngriti në piedestal flamurin e Kosovës, Majlinda.

Në momentin që ju bashkoni talentin tuaj, jam i sigurt se edhe ju do të jeni kampionë.

Kosova do të jetë kampione.

Unë do t’u jem pranë gjithmonë.

Të dashur qytetarë,

Në rrafshin politik dhe institucional Kosova është në udhëkryq historik.

Të marrë vendime jo të lehta, por të drejta, dhe të lëvizë shpejt drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euroatlantike apo të vazhdoj me këtë pasivitet dhe vendnumërim, duke mbetur peng i të kaluarës së dhimbshme e duke penguar zhvillimin e të ardhmes së ndritur.

Por, nga e kaluara duhet të nxjerrim mësime dhe të kuptojmë se cilët janë miqtë tanë të vërtetë.

Kemi pasur besim në këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prandaj firmosëm Rambujenë.

Ishte vendim i vështirë, por historia e dëshmoi se ishte vendim i duhur.

Kemi dëgjuar këshillën e aleatëve tanë amerikanë dhe evropianë dhe kemi pranuar “Pakon e Ahtisaarit” dhe bëmë shumë mirë.

Ashtu siguruam pavarësinë e Kosovës.

Historia na ka dëshmuar se këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës na kanë siguruar lirinë dhe pavarësinë.

Prandaj, edhe sot askush nuk guxon të vë në dyshim vullnetin e mirë, dashamirësinë dhe suksesin e këshillave të marra nga aleati ynë strategjik.

Qëllimi dhe vizioni ynë është që të jemi sa më shpejtë anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e një ditë jo të largët edhe në Kombet e Bashkuara.

Kosova, duke u bërë shtet i pavarur dhe sovran, duke u njohur nga shumica e shteteve të botës, përveç privilegjeve ka marrë mbi vete edhe përgjegjësitë ndërkombëtare.

Pa marrjen e këtyre përgjegjësive, Kosova as nuk do të bëhej e lirë, as sovrane e as nuk do ta kishte mbështetjen e
fuqishme ndërkombëtare.

Parakusht për të ardhmen evropiane është fqinjësia e mirë.

Para një viti Kosova nënshkroi marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Kam respektuar dhe dëgjoj me vëmendje çdo opinion dhe diskutim prej kujtdo qoftë për këtë çështje.

Por, dua ta them shumë hapur: keqpërdorimi i kësaj agjende për përfitime politike apo për politikë ditore është kauzë e paqëndrueshme dhe mbi të gjitha e rrezikshme.

Marrëveshja është e drejtë, e saktë, e konfirmuar nga ekspertë të shquar kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

E them përsëri: Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror të territorit të saj.

Nuk është cenuar asnjë pronë private apo e drejtë për shfrytëzimin e pronave publike.

Të dashur qytetarë,

Çdo vonesë për ratifikim nga Parlamenti i Kosovës, e minon të ardhmen evropiane të Kosovës.

I thyen shpresat dhe besimin që gjatë këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin në zonën Shengen.

Pra, humbim mundësinë për liberalizim të vizave.

Por, ky nuk është dëmi i vetëm.

Ky është vetëm fillimi i dëmeve që do të pasojnë.

Do vonohemi edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shtyhet dialogu politik me NATO-n.

Askush në botë nuk na përkrah në acarimin e raporteve me një vend fqinj që gjithnjë na ka përkrahur siç është Mali i Zi, e që ka marrë ftesën të bëhet anëtar i NATO-s.

Ne duhet të vazhdojmë raportin strategjik të fqinjësisë dhe vlerave euroatlantike me Malin e Zi.

Ne nuk po korrigjojmë padrejtësitë historike.

Por, mund ta sigurojmë të ardhmen euro-atlantike.

Edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të implementohet.

E kjo do të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit të Kosovës.

Nuk kemi pse t’i frikësohemi asaj që e lejon dhe e garanton vetë Kushtetuta jonë.

E kemi larguar çdo rrezik për ndarje të Kosovës apo për krijimin e ndonjë autonomie.

Diçka e tillë nuk do të ndodhë kurrë në Republikën tonë.

Ata që dikur ishin në barrikada dhe angazhoheshin për ndarjen e Kosovës, sot janë në institucionet e Kosovës, në nivel qendror e komunal.

Prandaj, edhe politizimi i kësaj çështjeje nuk është tjetër veçse farsë e politikës elektorale, për fitimin e ndonjë pike politike, por edhe për linçimin e oponentëve politikë.

Edhe një gjë për këtë.

Mund të mos pajtohemi për politikat dhe për rezultatet e politikave tona.

Por, besoj se të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës, fëmijëve të tyre, gjeneratave që do të vijnë, pajtohen se dhuna dhe kanosja nuk kanë vend në Kosovë.

Është e papranueshme që për motive politike të sulmohen zyrtarët e shtetit të Kosovës, të sulmohen institucionet dhe ndërtesat e shtetit të Kosovës.

Kjo nuk do të tolerohet.

Dhuna i përket të kaluarës.

E ardhmja është në paqe, dialog dhe në bashkëpunim.

Vetëm duke i integruar komunitetet e largojmë ndikimin e Serbisë në Kosovë.

Vetëm duke bashkëpunuar me fqinjët, integrohemi në NATO e BE.

Pra, të dashur qytetarë, zgjedhjet para nesh janë shumë të qarta:

Integrim ose izolim!

Unë, bashkë me ju, jam i përcaktuar për integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!

Në trend Lajme

Më shumë
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Kalo në kategori