Merren masa për fillimin e sezonit turistik

"Kanë nxjerrë disa detyra prioritare. Kjo konsiston në kontrollin e përditshëm që nga burimi deri te pika fundore, pra rubineti, të ujit të pijshëm. Në kontrollin e shkarkimit të ujërave të zeza nëpër plazhe, ujërat e zeza që derdhen nëpër dete, me problemet e trajtimit dhe manaxhimit të mbeturinave të ngurta urbane", tha për AS, Arben Luzati, Drejtor i Mjedisit dhe Shendetit, ISHP.
Nje sërë masash janë marrë dhe në drejtim të shëndetit të pushuesve, për të cilët edhe këtë vit është menduar, që urgjencat të qëndrojnë të hapura 24 orë dhe të dyfishohet personali shendetësor.
"Ka një udhëzim të ministrit që për sezonin turistik drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethe marrin shtesa edhe në organigramë, dhe angazhojnë punonjësit e tyre që të shërbejnë 24 orë non stop që t'u shërbejnë emergjencave, qoftë për probleme sëmundjesh, ashtu edhe mjedisi", tha ai.
Vitin e shkuar shumë bare dhe restorante, por dhe drejtues të drejtorive të shëndetit publik nëpër rrethe, të cilët nuk zbatuan rregullat e percaktuara nga institucionet qëndrore mjedisore dhe shendetësore u penalizuan me gjoba dhe me paralajmërim për pezullim nga detyra./Telegrafi/




















































