Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala sot nuk ka arritur të shqyrtojë dokumentacionin e Telekomit të Kosovës, sepse menaxhmenti i kësaj kompanie nuk ia ka dorëzuar dokumentacionin këtij Komisioni.

Kryesuesi i këtij Komisionit Visar Ymeri tha se kryeshefi ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi, ka kërkuar afat shtesë për kompletimin e gjithë dokumentacionit, mirëpo edhe pas afatit shtesë ky menaxhment nuk ka përfillur Komisionin Hetimor me arsyetimin se dokumentacioni është konfidencal dhe disa lëndë janë duke u hetuar nga Prokuroria e shtetit.


“Deri tash nuk kemi kurrfarë dokumentacioni nga menaxhmenti i Telekomit. Dje ka qenë afati i fundit për të na e dërguar dokumentacionin”, tha Ymeri, duke shtuar se ky ngurrim nga menaxhmenti shton dyshimet për keqpërdorime në Telekom.

55927939 305726256753577 1442511199253037056 n Mbledhja e komisionit hetimor parlamentar/Foto: Ridvan Slivova-Telegrafi

Ndërsa deputeti Armend Zemaj, tha se ky Komision duhet të dërgojë edhe një letër me shkrim menaxhmentit të Telekomit për dorëzimin e dokumentacionit për hetim.
Zemaj tha se askush nuk duhet të përpiqet ta ndaloj hetimin në Telekom.

Deputetja Albulena Haxhiu shprehu shqetësimin për mos bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.

“Kjo tregon një papërgjeshmërinë dhe tendencat për ta ndaluar hetimin në Telekom. Asgjë nuk është kërkuar që është konfidenciale. Ne duhet t’i ndjekim të gjithë hapat ligjor për hetimin e gjendjes në Telekom”, tha Haxhiu.

Deputeti Milaim Zeka tha se drejtori ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi po e trajton Kuvendin e Kosovës sikur gazetarët.