McLaren ka frikë se Mercedes do të nënshkruajë me Verstappen

Duke parë përpara drejt sezonit 2026, Formula 1 mund të përjetojë një nga transferimet më tronditëse ndonjëherë: Max Verstappen drejt Mercedesit.
Atmosfera në kampin e Red Bull prej kohësh ka qenë e tensionuar. Largimi i figurave kyçe si Adrian Newey dhe Jonathan Wheatley, si dhe shkarkimi i befasishëm i Christian Horner, kanë rritur ndjeshëm pasigurinë në ekipin me bazë në Milton Keynes.
Për herë të parë pas viteve dominimi, Red Bull po shfaq dobësi serioze. Ata aktualisht renditen të katërtit në Kampionatin e Konstruktorëve me vetëm 172 pikë – shumë larg McLarenit (460) dhe pas Ferrarit e Mercedesit. Një rënie drastike për ekipin që dikur mbretëronte me grusht të hekurt.
Në këtë situatë, shpresa e vetme mbetet Max Verstappen. Kampioni i katërfishtë i botës ka qenë në formë të jashtëzakonshme, duke fituar dy gara (Suzuka dhe Imola) pavarësisht vështirësive të RB20. Megjithatë, ai ndodhet i treti në renditje me 165 pikë, prapa Oscar Piastri (234) dhe Lando Norris (226).
Kjo e bën edhe më të diskutueshme të ardhmen e Verstappen. Thuhet se Toto Wolff i ka ofruar një rrugë të hapur drejt Mercedesit – ku mund të trashëgojë fronin nga Lewis Hamilton.
Klani Verstappen prapa largimit të Horner?
Analisti dhe ish-piloti Martin Brundle ka hedhur dritë mbi një aspekt interesant: rolin e familjes Verstappen në shkarkimin e Christian Horner.
“Lëvizja ndaj Horner mund ta bëjë më të mundur që Max dhe Jos Verstappen të qëndrojnë. Por duket se largimi i tij ishte shumë personal... dhe Verstappenët kishin gisht në këtë vendim”, thekson Brundle.
Zak Brown i frikësuar nga skenari “Verstappen te Mercedes”
Nga ana tjetër, drejtori i McLarenit, Zak Brown, nuk e fsheh shqetësimin e tij. Në një prononcim për ESPN, ai e cilësoi idenë e Verstappen në një makinë Mercedes si “frikësuese”.
“Mercedes po ngrihet, Red Bull është në krizë dhe Max është një talent absolut. Kjo kombinim do të ishte i tmerrshëm për rivalët. Ai do të ishte një kërcënim real për të gjithë”, tha shefi i McLarenit pa asnjë rezervë. /Telegrafi/






















































