LAJMI I FUNDIT:
Ferizaj 34° partlycloudy_day

Mbyllja e shkollës fillore ”Besim Rexhepi”, nxit reagimet e banorëve të Gërlicës së Ferizajt

Mbyllja e shkollës fillore ”Besim Rexhepi”, nxit reagimet e banorëve të Gërlicës së Ferizajt

Që nga shtatori i vitit të kaluar banorët e Gërlicës në Komunën e Ferizajt po obligohen t’i dërgojnë fëmijët në shkollat e qytetit, pasi që shkolla fillore ”Besim Rexhepi” në këtë lokalitet është mbyllur me vendim të Komunës.

Kjo shkollë që numëronte vetëm 30 nxënës nga klasa e parë deri në të pestën, sipas zyrtarëve komunal në Ferizaj, nuk i kishte përmbushur kriteret për funksionim.  Ndërkohë, banorët, vazhdimisht kanë deponuar kërkesa e ankesa në komunë dhe në ministrinë e Arsimit me qëllim që objekti i shkollës të rihapet, por deri më tash pa sukses.

Haki Veseli, përfaqësues i këtij fshati, ka thënë për Telegrafin se është shqetësuese se si në këtë shekull të mbyllet objekti i shkollës dhe ndërkohë nxënësit të obligohen të shkojnë mbi 6 kilomemtra në shkollat e qytetit.

“Pasi është mbyllur shkolla, unë e kam marrë detyrën për ta udhëhequr fshatin, mirëpo menjëherë e kam vërejtur se të gjithë qytetarët po reagojnë lidhur me mbylljen e shkollës. Është shqetësuese të mbyllet shkolla në këtë kohë dhe të dërgohen fëmijët në qytet për të mësuar. Objekti i shkollës sonë i plotëson të gjitha kushtet teknike, mirëpo vendimi i institucioneve ka qenë që shkolla të mbyllet shkaku që nuk i përmbush kriteret ligjore me këtë numër të vogël të nxënësve”, ka thënë Veseli shkruan Telegrafi.

Banorët kanë thënë se në vitet e 80-ta, objektin e shkollës e kanë ndërtuar me vetëfinancim me qëllim që fëmijët e tyre ta kenë sa më afër shkollimin dhe mos të rrezikohen nga lëvizja e automjeteve për të shkuar në lokalitete të tjera.

Xhafer Berisha, po ashtu banor i këtij fshati, ka sqaruar se me kohë u janë drejtuar institucioneve lokale dhe qendror që objekti i shkollës mos të mbyllet me arsyetime se do të ketë ngarkesa të mëdha për nxënësit dhe prindërit.

“Të gjithë banorët e kemi kundërshtuar fillimisht njoftimin e komunës për mbylljen e shkollës, pastaj nga shtatori është mbyllur, kurse banorët deri tash nuk kemi qëndruar asnjëherë të heshtur sepse kemi kërkuar vazhdimisht që shkolla të rihapet sepse tash po e shohim se sa e vështirë është për prindërit dhe për nxënësit që ata ta ndjekin mësimin mbi 6 kilometra larg vendbanimit”, ka thënë Berisha shkruan Telegrafi.

Lidhur me këtë çështje, Telegrafi ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani.

Ai ka thënë se secila shkollë që ka numër të vogël të nxënësve është planifikuar të mbyllet sipas udhëzimeve administrative të nivelit qendror.

Sipas Llabjanit gjatë dy vjetëve të ardhshme në Komunën e Ferizajt pritet të mbyllen edhe shtatë shkolla të tjera të cilat nuk i plotësojnë kriteret për funksionim “Në udhëzimin administrativ janë paraqitur të gjitha shkollat të cilat duhet të mbyllen gjatë kësaj periudhe kohore, andaj janë të specifikuara në tre nivele.

Ndërkaq, gjatë viteve në vazhdim do të mbyllen edhe 7 shkolla të tjera sepse kanë numër të vogël të nxënësve Edhe për Komunën është shqetësuese sepse sikur me rastin e shkollës ”Besim Rexhepi” që kanë mbetur disa mësimdhënës pa punë, me një gjendje të tillë do të përballen edhe në shkollat e tjera, por mbyllja e shkollave është e specifikuar me udhëzime administrative”, ka sqaruar Llabjani.

Llabjani ka shtuar se nxënësve të Gërlicës u është siguruar transporti falas nga Komuna./Telegrafi/.