LAJMI I FUNDIT:

Mashtrimi grek me fustanellën dhe personazhet shqiptare

Mashtrimi grek me fustanellën dhe personazhet shqiptare

Auron Tare

Krejt rastësisht më ra në dorë një botim luksoz i përgatitur me shumë kujdes dhe publikuar në emër të një institucioni serioz, siç është Muzeu Benaki i Athinës, i titulluar “Through Romantic Eyes”. Një miku im, diplomat i huaj, pasi vizitoi për disa orë rrënojat e mrekullueshme të Butrintit, teksa u ulëm për të pirë diçka mbas asaj shëtitjeje të gjatë më dhuroi botimin në fjalë si kujtim të një bisede që kishim bërë dikur mbi udhëtimet e romantikëve të shek. të 19-të në Shqipëri dhe Greqi.

Epoka e udhëtimeve të romantikëve evropianë në viset e Turqisë evropiane, siç njiheshin atëherë krahinat e Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë është një temë shumë interesante. Një numër aristokratësh evropianë, artistësh të talentuar apo edhe aventurierësh në kërkim të temave ekzotike për bëmat e tyre, udhëtuan në mbarim të shek. të 18-të dhe në fillimin e atij të 19-të në viset e panjohura deri atëherë të Greqisë dhe Shqipërisë.

Ditarët apo publikimet e këtyre udhëtarëve, tablotë apo raportet sekrete kanë mbetur sot dëshmitë më autentike për të njohur jetën dhe historinë e viseve të shkelura prej tyre. Tablotë e pikturuara prej atyre që më vonë u quajtën me termin e përgjithshëm romantikët e shek. të 19-të, janë dëshmia e vetme që kemi mbi peizazhet tashmë të tjetërsuara nga kohët moderne, mbi qytetet antike të rrethuara nga ndërtimet e qyteteve prej betoni apo mbi kostumet piktoreske të banorëve të këtyre vendeve të zhdukura njëherë e përgjithmonë nga globalizmi.

Romantikët evropianë ishin një përzierje shumë interesante e asaj race universale të etur për udhëtime, eksplorime dhe aventura. Shkrimtarë a poetë, arkeologë apo piktorë, të etur për zbulimin e historisë antike, por edhe grabitës të artit, emra të shquar të salloneve aristokrate të Parisit apo Londrës, por edhe vëzhgues të hollë të përfshirë në shërbimet sekrete të vendeve respektive ata krijuan një Epokë e cila la gjurmë shumë të thella në rilindjen e Greqisë Moderne apo të viseve të tjera të Perandorisë Osmane.

Falë ditarëve apo botimeve të këtyre udhëtarëve, tablove apo raporteve të tyre ne trashëgojmë një thesar të paçmuar njohurish mbi historinë greko-shqiptaro-turke të asaj kohe. Të gjitha këto kishin qenë tema e bisedës me mikun tim diplomat dhe për këtë arsye mezi prita që ta lexoja këtë botim në qetësi.

E pra, pasi shfletova një pjesë të këtij Libri për disa minuta rresht iu riktheva edhe njëherë nga fillimi dhe pashë parathënien e shkruar nga drejtori i Benaki Museum, Dr. Angelos Delivorrias, si dhe tekstin e përgatitur nga autorja e Librit Fani-Maria Tsigakou. Nëse ndonjë studiues i huaj, në këtë rast studiuesja greke Tsigakou, do të kishte botuar një libër me pasaktësira apo edhe manipulime të kujdesshme mbi përmbajtjen e tablove të pikturuara gati 200 vjet më parë, do ta kisha futur këtë libër në sirtar dhe do ta quaja thjesht një dashakeqësi apo injorancë të një personi. Por, emri i një institucioni serioz si Benaki Museum si dhe mbështetja që i është dhënë këtij libri nga institucione zyrtare si Ministria e Kulturës apo ajo e Turizmit të Greqisë më bëri që të ulem dhe t’i shkruaj këto radhë.

Libri përveç peizazheve të mrekullueshme të pikturuara nga mjeshtrat e kohës ka dhe një sërë portretesh apo skenash, ku personazhet e pikturuara janë veshur me kostumin tradicional shqiptar. Një sy i zakonshëm si dhe një lexues normal i historisë së asaj periudhe e di mirë se piktorët romantikë shpesh kishin në qendër të veprave të tyre shqiptarët me kostumet e tyre jashtëzakonisht të veçanta.

Në territoret e Turqisë evropiane elementi shqiptar ishte dominues për një mori faktorësh të cilat ishin lidhur me emigrimin apo mercenarizmin tradicional të shqiptarëve, të cilët shërbenin në ushtritë e pashallarëve apo bandat e Kleftëve. Ky element mjaft piktoresk në peizazhet e maleve apo ishujve të Greqisë është përshkruar me qindra herë në shënimet e udhëtimit të një numri udhëtarësh dhe artistësh të asaj kohe.

Personaliteti i fuqishëm i Ali Pashë Tepelenës dhe sundimi i tij në të gjithë territoret greke kishte bërë që shqiptarët të ishin kudo dhe shpesh në udhëtimet e udhëtarëve të kohës të shërbenin si udhërrëfyes apo truproja për të ruajtur këta të fundit. Po kështu përfshirja e madhe e shqiptarëve të krishterë në Lëvizjen për Pavarësi të Greqisë i bëri ata një temë interesante për piktorët evropianë të cilët i kanë vendosur shqiptarët si një pjesë të rëndësishme të kompozimeve të tyre dedikuar revolucionit Grek.

Në koleksionin e Muzeut Benaki ndodhen një sërë tablosh të grumbulluara në vite, ku elementi shqiptar i veshur me kostumin e tij të veçantë të përbërë nga fustanella tradicionale është në qendër të tablove. Por çuditërisht studiuesja dhe kuratoria e këtij Muzeu Znj. Tsigakou ka vendosur që në librin e botuar prej saj të gjithë tablotë me elementin shqiptar ti quajë “Malësorë Grekë”

Është për t’u çuditur se si një studiuese e cila shkruan dhe boton një libër mbi tablotë e romantikëve të shek. 19-të mundohet të fshijë me një të rënë të lapsit elementin shqiptar si një burim frymëzimi për një sërë piktorësh të asaj periudhe.

Këtu do të veçoja tablonë e Carl Haagut aq e njohur jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe atë të huaj. Sigurisht për vlerat artistike të kësaj pikture mund të shprehen mjaft mirë specialistët e kësaj fushe, por kjo tablo e njohur e publikuar në qindra botime si një tablo e një shqiptari tipik jepet në botimin e Benakit me titull “Malësor grek” (1861).

Që kjo tablo është e një shqiptari tipik as që ka dyshim pasi jo vetëm kostumi i tij tradicional është tipik shqiptar por nëse vështrohet me kujdes do të shihet se edhe prerja e flokëve është tipike shqiptare për kohën, e rruar në ballë dhe flokët e gjata të lëshuara mbi supe.

Për këtë mënyrë të mbajtjes së flokëve nga shqiptarët e kohës në dallim nga bashkëkohësit e tyre grekë kemi dëshmi të tjera nga Hobhouse miku i udhëtimeve të Byronit apo nga tabloja e famshme e Dypresë “Ali Pasha ne Butrint”. Këtu shihet qartë se si rojet e Aliut i kanë flokët e rruara në ballë dhe të lëshuara mbi supe. Nëse Fustanella karakteristike e shqiptarëve është shqiptare apo Greke mendoj se nuk ka vend për diskutime pasi për këtë çështje ka shkruar njëherë e mirë Faik Bej Konica por do të thosha se edhe autorja Tsigakou mundohet që të përdorë një manipulim shumë të hollë të së vërtetës kur shkruan se “fustanela e gjatë është përdorur kryesisht nga Kapedanët Grekë dhe ka qenë dominuese në qendrat urbane greke. Në mesin e shek. të 19-të Mbreti Oto vendosi që kjo uniformë të përdorej si veshje oborri”.

Ose zonja Tsigakou gënjen qëllimisht mbi këtë çështje ose ajo nuk e di që shumë prej autorëve të asaj epoke apo edhe më vonë kanë shkruar mbi fustanellën si një prej veçorive kryesore të veshjes dalluese të shqiptarëve nga grekët. Fakti që Mbreti gjerman i Greqisë Otto e futi atë në oborr tregon për nderimin që kishte ai mbi këtë simbol të veshjes së luftëtarëve shqiptarë. Grekët akoma edhe sot nuk kanë një fjalë të tyre për të përshkruar fustanellën por e quajnë “Fustanella” një fjalë kjo e huazuar nga shqipja për të përshkruar këtë veshje.

“Fshatarët grekë, shpesh tërhiqeshin në malet e thepisura ku i bënin rezistencë turkut. Këta malësorë të cilët edhe i frikësonin por edhe i frymëzonin udhëtarët Evropianë janë romantizuar nga artistë e poetë si Lord Byroni: …. Ja lë tufën shqiponjës e bishës e zbret Poshtë fushës me sulm si rrëkeja në det”.

Nëse autorja e librit ka dyshime mbi temat e tablove të paraqitura në këtë botim nuk mund të thuhet se ajo është po kaq dyshuese edhe mbi autorësinë e këtyre vargjeve të shkëputura nga konteksti dhe të cituara më sipër. Kushdo që ka lexuar Lord Byronin e di mjaft mirë se këto vargje janë marrë nga Poema “Shtegtimi i Çajlld HArolldit, më saktë nga kënga e famshme “Tamburxhi Tamburxhi”. Për këtë këngë poeti i famshëm ka shkruar edhe për momentin kur e dëgjoi për herë të parë nga një grup shqiptarësh që e kërcyen këtë këngë me vargje prej të cilave Byroni mori pjesën më të madhe të saj dhe e solli në variantin anglisht.

E pra një studiuese e nivelit të Tsigakout nuk mund të mos ketë lexuar këtë pjesë të famshme të Byronit të cilën po e japim më poshtë në përkthimin shqip të pacënuar nga studiuesja greke:

“Tamburxhi, Tamburxhi/ thirrja jote ushton/ u ngjall trimave shpresën/ për luftë na fton/ gjithë djemtë e malësisë/ i thërret anembanë/ himariotë, ilirë suliotë zeshkanë”!

“E kush është aq trim sa sulioti zeshkan/ me fustan të bardhë e të zi tallagan/ ja lë tufën shqiponjës e bishës e zbret/ poshtë fushës me sulm si rrëkeja në det”!

Nëse znj. Tsigakou në botimin e saj arrin që të manipulojë edhe vargjet e njohura të Byronit për shqiptarët atëherë sa të vlefshme janë opinionet e ngritura për tablotë e romantikëve me figura shqiptarësh? Lexuesi mund të gjykojë vetë mbi përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Autorja e këtij Libri ka botuar në vitin 1984 një variant të hershëm të këtij botimi në gjuhën franceze të titulluar “La Grece Retruvee”, në shqip “Greqia e Rigjetur”, me parathënie të profesorit të njohur të historisë antike francezi Jacques Lacarriere.

Në parathënie profesori francez ka shkruar se në shumë prej tablove të romantikëve të shekullit të 19-të, paraqiten shqiptarët me kostumet e tyre tradicionale. Znj. Tsigakou nuk e hoqi dot këtë pasazh nga parathënia e profesorit të njohur në botimin e parë, por mesa duket në botimin e ri ka vendosur që jo vetëm ta injorojë këtë fakt por edhe të mundohet që të manipulojë të vërtetën mbi këto Tablo.

Megjithëse libri “Throught Romantic Eyes” i është dedikuar tablove të artistëve evropianë dhe artit të tyre për Greqinë nuk ka përse figurat e shqiptarëve që frymëzuan ata për veprat e tyre të manipulohen nga studiuesit e sotëm qofshin këta edhe të mbështetur nga institucione zyrtare greke.

Në nderin e studiuesit do ishte një trajtim realist dhe i vërtetë i këtyre veprave duke shpjeguar ndoshta kontekstin dhe ngjarjet historike nga ato janë marrë. Kjo do t’i shërbente më shumë kuptimit të historisë sonë të përbashkët. Tablotë e shqiptarëve në kontekstin e historisë greke nuk ka përse të mohohen ashtu siç nuk ka përse të mohohet kontributi i tyre i madh në revolucionin Grek.

Nëse studiues shqiptarë apo grekë, institucione private apo shtetërore, përfshihen në manipulimin e të vërtetave historike, ata pa dyshim ndihmojnë në thellimin e hendekut të moskuptimit dhe përbuzjes së dyanshme.