Masakra e Reçakut, çmimi i lirisë së Kosovës

Udhëheqësit e institucioneve të vendit thanë se krimi në Reçak u krye për të thyer besimin e popullit të Kosovës tek liria, por ky projeksion doli krejtësisht i gabuar, pasi terrori dhe frika kurrë nuk mund ta mposhtin vullnetin për liri.
Në akademinë përkujtimore me rastin e 16 vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se është Reçaku, pasqyrimi më tragjik i veprimeve të çmendura të ushtrisë dhe policisë serbe dhe grupeve të tyre paramilitare për spastrim etnik, pa zgjedhur viktimat, duke vrarë pleq e të rinj.
“Është Reçaku, po ashtu, një prej shembujve historik, i cili tregon qartë se sa e rëndë dhe e tmerrshme është historia e pavarësisë së Kosovës por edhe sa e çmueshme duhet të jetë ajo sot për ne. Se pavarësia e vendit tonë u ndërtua jo në një ditë dhe me një akt, por në saje të përpjekjeve dhe sakrificave shekullore të shumë gjeneratave, të shumë patriotëve, të vëllezërve dhe baballarëve tanë, të nënave dhe motrave tona, të luftëtarëve të rënë në altarin e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të rezistencës paqësore”, tha Mustafa.
Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se 45 banorët e fshatit Reçak u masakruan barbarisht nga forcat okupatore serbe vetëm pse nuk pranonin shtypjen dhe aspironin lirinë e Kosovës.
“15 janari është ditë e dhimbjes dhe krenarisë sonë. Është ditë që simbolizon fatin tonë historik të kaluar përmes vuajtjeve dhe sakrificave. Është ditë në të cilën 16 vite më parë bota e pa të vërtetën tonë, të vërtetën e një populli që kishte vendosur që shekullin 20 të mos e mbyll duke qenë i robëruar, pavarësisht çmimit që duhet paguar. Krimi në Reçak u krye për të thyer besimin e popullit tonë tek liria, por ky projeksion doli krejtësisht i gabuar, pasi terrori dhe frika kurrë nuk mund të mposhtin vullnetin për liri”, tha Veseli.
Kryekuvendari tha se është detyrë e tyre si qytetarë dhe udhëheqë të institucioneve, që amanetin e dëshmorëve të Reçakut dhe të gjithë Kosovës ta jetësojnë në vepra për t’i garantuar lirinë dhe të ardhmn e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismaili tha se sot kujtojnë masakrën dëshmorët e masakrës në Reçak të cilët me gjakun e tyre Kosovës i dhanë dritën e jetës.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari tha se Reçaku vjen sot dhe troket në ndërgjegjen e tyre, duke ua rikujtuar se një varg çështjesh nuk janë përmbushur, jo vetëm për ta quar në vend amanetin e dëshmorëve të kombit, por edhe për të dëshmuar kujdesin e duhur dhe të obligueshëm ndaj atyre që kanë dhënë çdo gjë edhe jetën për lirinë e Kosovës.
Ish komandanti i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja, tha se ishte vështirë rruga e luftës, e sakrificës, e gjakut, e lirë, por kjo rrugë ishte e pashmangshme për ta arritur lirinë. Ai tha se e dinin që rruga e lirisë e kishte një çmim, por vazhduan rrugën për lirinë e Kosovës.
Me 15 janar 1999 në Reçak, forcat serbe masakruan 45 banorë të këtij fshati, të cilët ishin civilë, gra, fëmijë e pleq. /Telegrafi/





















































