Marrëveshja mes palëve është arritur dhe lojtari ka kryer testet mjekësore, zyrtarizimi i Fofanas te Chelsea çështje ditësh

David Fofana mund të quhet një futbollist i ri i Chelseat, edhe pse duhet pritur deri te zyrtarizimi.
Sulmuesi i talentuar nga Bregu i Fildishtë ka gjetur marrëveshjen me Chelsean dhe tanimë ka kryer me sukses testet mjekësore te londinezët.
20-vjeçari do t'i bashkohet Chelseat s'i zëvendësim i sulmuesit shqiptar Armando Broja që u lëndua dhe do të mbetet gjatë jashtë fushave.
Fofana ka shkëlqyer në elitën e futbollit norvegjez me skuadrën e Moldes ku në 37-ndeshje zyrtare ka shënuar 21 gola e ka asistuar në shtatë të tjerë.
Fabrizio Romano ka njoftuar se marrëveshja mes palëve është arritur dhe Fofana do të transferohet te Chelsea për shumën e 12 milionë eurove.
"Marrëveshja për David Fofana është e gjitha e vulosur dhe ka përfunduar. Edhe dokumentet janë gati pas testeve mjekësore të kryera me sukses në Londër. Zyrtarizimi do të vijë së shpejti".
"Klubi është i bindur se është një nënshkrim i mençur për të tashmen dhe të ardhmen për një shumë prej 12 milionë euro, ku shumë klube në mbarë Evropën e donin Fofanan", ka shkruar Romano.
Zyrtarizimi i talentit afrikan te Chelsea pritet të bëhet gjatë orëve të ardhshme nga Chelsea. /Telegrafi/



















































