Margot Robbie është në qendër të vëmendjes si një nga favoritët për të marrë rolin ikonik të Catherine Tramell në ribërjen e filmit kontrovers të viteve të 90-ta, Basic Instinct.

Sipas The Wrap, Amazon MGM Studios ka siguruar të drejtat për të sjellë një version të ri të trillerit erotik që bëri histori në vitin 1992.


Skenaristi origjinal, Joe Eszterhas, është rikthyer për të shkruar skenarin me një marrëveshje 4 milionë dollarëshe, shkruan DailyMail.

“Për ata që dyshojnë, unë dhe ‘Njeriu i Vogël i Shtrembëruar’ jemi gati të sjellim një përvojë të egër dhe orgazmike për publikun”, u shpreh ai në mënyrë provokuese.

Robbie, e cila u bë ikonë globale pas suksesit të Barbie, është vendosur nga agjencia William Hill me kuotë 3/1 për rolin, pas Florence Pugh (2/1), ndërsa gara përfshin edhe emra si Sydney Sweeney, Anya Taylor-Joy dhe Ana de Armas.

Filmi origjinal, me Sharon Stone dhe Michael Douglas, u bë fenomen kulturor, duke fituar mbi 350 milionë dollarë globalisht dhe duke hyrë në histori për skenat e tij provokuese.

Vetë Stone ka shprehur më parë dëshirën që Margot Robbie ta interpretojë në një biografi të mundshme të saj, duke e quajtur “shumë të talentuar”.

Nëse zyrtarizohet, roli i Catherine Tramell mund të jetë sfida më provokuese dhe ikonike në karrierën e Robbie-t deri më tani. /Telegrafi/