LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni: Punëtorët e ISHP-së mbeten pa paga

Maqedoni: Punëtorët e ISHP-së mbeten pa paga

Ndonëse në vijën e parë të frontit me koronavirusin, të punësuarit e Institutit të Shëndetit Publik tani po përballen edhe me mungesë të pagave. 200 punëtorët e ISHP-së nuk kanë marrë pagën e muajit mars. Ankesa të shumta u drejtuan në redaksinë tonë nga të punësuarit, të cilët thonë se i lënë pa bukë familjen e tyre, duke qëndruar në krye të detyrës së menaxhimit të situatës me koronavirusin.

“Tani më na ka skaduar edhe sigurimi shëndetësor, disa nga ne janë të sëmurë kronik dhe nuk mund të furnizohen as me terapi. Iu drejtuam autoriteteve, na thonë ta pyesim drejtorin, ai na thotë se fajin e ka Ministria, kurse nga atje nuk na përgjigjen. Ne jemi të punësuar shëndetësor dhe nuk dimë se si ti ushqejmë ndryshe familjet tona”, pohoi një mjek anonim nga ISHP.

Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se problemi qëndron te mos arritja e marrëveshjes kolektive. Sipas drejtorit Shaban Memeti janë në pritje të autorizimit të Ministrisë që të firmoset marrëveshja.


Ai tha se kjo situatë është vonuar, sidomos kur punëtorët e tij përballen drejtpërdrejtë me rrezikun.

“Ne kemi filluar para disa muajsh procesin e marrëveshjes kolektive, por ndodhi shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe u ndërpre ky proces. Pastaj filloi periudha e krizës së Virusit Korona dhe tani mbetëm në pritje të autorizimit të Ministrisë së Shëndetësisë që të realizohen pagat. Problemet mund të na shfaqen te kuadri shëndetësor varësisht të vendosjes së koeficienteve për pagat”, tha Shaban Memeti, drejtor i ISHP-së.

Nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk kanë kthyer përgjigje, por thonë se janë duke e shqyrtuar këtë marrëveshje në përpikëri për t’iu dhënë ofertën gjatë këtyre ditëve. Por mjekët kërkojnë rritjen e koeficientit të vlerësimit që nënkupton edhe rritjen e pagave të tyre. Nga Sindikata e këtij Instituti thonë se nëse nuk iu përshtaten klauzolat e marrëveshjes nuk do ta pranojnë atë si të kryer./Alsat/