Man City ringjall interesin për yllin e Monacos prej 70 milionë eurosh

Manchester City vazhdon të shfaqë interes afatgjatë për mesfushorin ofensiv të Monacos, Maghnes Akliouche, pavarësisht transferimit të Rayan Cherki nga Lyoni gjatë verës së kaluar, raporton L’Equipe.
23-vjeçari, tashmë me 5 paraqitje dhe 1 gol me Kombëtaren e Francës, ishte objektiv i disa klubeve të mëdha, mes tyre City, Tottenham, Bayer Leverkusen dhe PSG, por qëndroi në Monaco pasi klubi vendosi një kërkesë prej 70 milionë eurosh, duke i detyruar klubet e interesuara të heqin dorë.

Edhe pse Akliouche ka kaluar një periudhë forme jo të qëndrueshme këtë sezon, ai ka regjistruar 3 gola dhe 4 asistime në 19 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke u aktivizuar edhe si titullar në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.
Manchester City e sheh atë si një opsion të vlefshëm për të shtuar kreativitetin në repartin ofensiv, sidomos pas transferimit të Cherkit për 36.5 milionë euro.

Interesi për produktin e akademisë së Monacos mbetet i lartë, ndërsa klubi francez vazhdon të jetë i vendosur të mos lëshojë lehtë talentin e tij më premtues.
Ndërkohë, City vijon monitorimin nga afër, teksa Akliouche po konsolidon rolin e tij në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/


















































