Manchester City ka identifikuar zëvendëusesin potencial të Kevin De Bruynes, vetëm pak ditë pasi u larguan nga gara për transferimin e Florian Wirtz. 

Wirtz, i cili konsiderohet si njëri prej mesfushorëve ofanzivë më të mirë në botë, ishte lidhur me një kalim të mundshëm në ‘Etihad’ tash e sa kohë. 


Në fakt, 22-vjeçari ishte përshkruar nga shumë persona si zëvendësuesi afatgjatë i De Bruynes, i cili do të largohet nga City pasi t’i skadojë kontrata më 30 qershor. 

Si rezultat, City thuhet se ka ftohur interesimin e tyre për yllin e Bayer Leverkusenit, i cili tashmë duket se do t’i bashkohet Liverpoolit. 

Tani, një raportim i ri ka sugjeruar se City ka krijuar një listë të ngushtë të lojtarëve të cilët mund ta zëvendësojnë De Bruynen, që përfshin Morgan Gibbs-White nga Nottingham Forest dhe Rayan Cherki. 

The Telegraph ka raportuar se një lëvizje për yllin francez, i cili ka realizuar 12 gola dhe 20 asistime për Lyon këtë sezon, është një mundësi reale në fazën fillestare të afatit kalimtar veror. 

Në krahasim me të lartpëmendurin Wirtz, Cherki do të ishte një transferim më i lirë. 

Në fakt, 21-vjeçari thuhet se ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij me Lyonin rreth 20-25 milionë euro dhe kjo ka bërë që atë ta vërshojnë ofertat. 

Përveç Cityt interesim për shërbimet e tij kanë shprehur gjithashtu edhe Manchester United, Chelsea dhe Liverpool./Telegrafi/

telegrafi sport app