Nga: Ndue Dedaj
Nuk është aspak për t’u habitur që malësori jo gjithherë është kuptuar në thelbin e vet. “Lahuta e Malësisë” nuk është ndaluar vetëm se autori i saj ishte një poet “reaksionar”, por dhe se sillte për herë të parë në letërsinë shqipe, në ato përmasa, “kultin” e malësorit, përmes një vargu portretesh fishtiane gdhendur në relieve shkrepash dhe malesh, si Oso Kuka, Marash Uci, Pater Gjoni, Tringa etj., të papranueshëm për internacionalen socialiste që predikonte një botë të re.
Naimi shkroi himnin e përjetshëm të kësaj toke, që nis me vargun proverbial “O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë …”. Dhe Koliqi do ta barte kultin e maleve dhe të malësorit në prozat e tij, pa folur për shkrimet e autorëve të huaj si Durham etj.
Nuk ka reshtur as më vonë qasja letrare ndaj arketipit të malësorit apo dukurive malësore si kanuni, në romanin “Prilli i thyer” të Kadaresë etj. Jusuf Buxhovi, në romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, përmes plakut Mic Shpendi, shpalos palcën e jetës shqiptare të mesjetës së vonë dhe profilin autentik të malësorit, i cili i përcillte si një testament vlerat themelore të etnosit shqiptar nga ati te biri: “Im atë, gjithnjë më thoshte, malësorët kanë dy palë mend: nji palë për jashtë e nji palë për mbrenda. Kur vinë në sheher (qytet), sillen si sheherjanë, ndërsa në malësi si malësorë … Nuk janë mashtrimtarë, por as nuk mashtrohen …”.
Se në ç’lartësi mund të ngjitet një malësor që prek qytetërimin evropian, mjafton të kujtosh Gjon Gazullin, Pal Engjëllin apo Pjetër Bogdanin. Se çfarë mund të bëjë një malësor për flamurin, kombin dhe atdheun, e dëshmon Dedë Gjo Luli që e shpalli pavarësinë nga maja e Bratilës në Deçiç që në prill të vitit 1911. Në kohë moderne është po një malësor në origjinë, Anton Çetta, që më 1990 mbledh në vendin e quajtur Verrat e Llukës në Deçan të Pejës 500 mijë kosovarë për pajtimin e gjaqeve.
Malet kanë qenë jo vetëm logu i burrave, por dhe i “Zhan D’Arkave” shqiptare, si Nora e Hotit, Shotë Galica etj., krahas granisë që vuajti shtypjen patriarkale, mishëruar në personazhe femërore të dëlira si Lula e Fabian Barkatës, Dija e Haki Stërmillit, Hajria e Nazmi Rahmanit etj. Kemi dy anë të medaljes sa i përket femrës malësore, ndrydhjen dhe lartësimin. Mis Bjeshka, që organizohet vit për vit në Kelmend, nuk është një dukuri e re, por traditë e hershme që flet shumë për pozitën nderuese të femrës në malësi. Malësorët ngjanin me kreshnikët, por nuk ishin të atillë, kështu që nuk ka vend për mitizim të tyre. Ata ishin si gjithë të tjerët, bujq, barinj, druvarë, por ajo që i dallon është se ishin edhe prijës, kuvendarë, pleqnarë në bashkësinë ku rronin, nga shtëpia e vet, katundi e deri te krahina, çka i bënte fisnikë të aristokracisë së maleve. Në këtë kuptim termi malësor ishte status social.
Shqiptari autentik i maleve
Malet u kanë dhënë emrin e tyre trevave të tëra, si Malësia e Gjakovës, Malësia e Madhe, ashtu siç kemi male të pagëzuara me emra figurash historike: Mali i Skënderbeut, Mali i Çajupit etj. Kurse “Nëntë Malet e Dibrës” nuk shënojnë vetëm gjeografinë, por dhe përkatësinë etnografike dibrane. Një autor austriak, jo aq i përkthyer te ne, Walter Peinsipp, që i ka njohur nga afër shqiptarët këtu dhe në Kosovë dhe librin e tij kushtuar të drejtës tonë zakonore e quan “Populli i shqipeve të malit” (Një kontribut në “arkeologjinë” e drejtësisë dhe antropologjinë sociologjike të Ballkanit), duke bërë fjalë për malësitë shqiptare, shkruan se ato “janë zemra e një popullsie dhe ruajtëse të një etnie”. (Peinsipp, 2005, 25.)
Malësori është banori tipologjik i trevave malore, bile dhe i fushës, pasi fushat shpesh janë populluar nga malësorët që bashkë me ngulimet e reja i kanë mbartur për aty dhe zakonet e veta. Ata kanë ditur të bëhen në çdo kohë pjesë e qytetërimit dhe e qyteteve. Mjafton të vështrosh mbiemrat familjarë të qytetit të Shkodrës, ku llagapë si Hoti, Shllaku, Shkreli, Temali, Kastrati, Kraja, Xhuxha, Paluca etj. flasin për familje fisnike që kishin zbritur nga malësitë.
Malësori nuk kishte shkollë, por kishte krijuar “shkollën” e odës e kuvendimit. Tjetër është mungesa e shkollimit dhe tjetër të jesh i paqytetëruar. Se ishin ithtarë të diturisë, hapën shkolla në male në shekullin XVII në kulmin e agresionit otoman.
Malësorët e Mirditës, Dukagjinit, Dibrës, Lumës, Elbasanit, Labërisë etj., krijuan kode vetëqeverisëse, ashtu si qytetet Shkodra e Drishti statutet e tyre. Qytetet e kanë bërë jetën në marrëdhënie me fshatrat dhe nuk ka pasur kurrë dasi qytet-fshat, jo vetëm se disa qytete të moçme kanë qenë ngritur në male, si Dalmacia, Voskopoja, Kruja etj., por dhe se qendra si Sapa, Rubiku, Pulti, Lisi (Mat), Oroshi ishin seli dioqezane/ ipeshkëvore apo abaciale, teksa Ndërfanda do të ishte për do kohë dhe seli e Shtetit të Arbrit. Dëshmi të qytetërimit të maleve janë qytezat e shuara ilire e mesjetare, manastiret, kalatë, fortifikatat, kullat e gurta, rrugët e karvanëve, urat e gurta, ujësjellësit antikë, minierat e bakrit, panairet (pazaret) etj. Mali dhe fusha ishin si dy gjymtyrë të të njëjtit trup. Heroi Kombëtar i përdori malet si prapavijë të ushtrisë së tij skanderbegiane, ku njërën këmbë e kishte poshtë në Albulenë dhe tjetrën në kreshtat e Kurbinit. Nuk duam ta teprojmë, por ka anë ku qyteti mund të marrë mësime prej fshatit.
Krenaria shqiptare si virtyt
Malësori kurrë nuk fliste për vete, flisnin të tjerët për të. At Konrad Gjolaj (Tom Marku), në librin e tij “Çinarët” (1996) shkruan: “A kam të drejtë me u krenue se jam malësor?” dhe e le që përgjigjën ta japë lexuesi pasi të ketë mbaruar së lexuari librin, por paraprakisht tërheq vëmendjen: “Ata që i kanë vizitue e pa me sytë e tyne Bjeshkët e Namuna, nuk don me thanë se i njofin banorët e atyne viseve”. Ky është problemi. Duhen njohur malësorët për t’i dashur ata dhe jo paragjykuar. Frati, ndër të tjera, argumenton: “Shpesh harrojmë se edhe fort janë la me gjak ato maja, krepa e shpate, ato stane e shpella, ato troje e ledhe, për idealin me të cilin ka lind e ka vdekë me te në gji malsori ynë”.
Për më tepër, është e trishtueshme që shteti shqiptar atdhetarët e vet i mbyti për së gjalli në shpellat e bjeshkëve, Bajram Currin më 1925 qeveria e Zogut, Dom Nikollë Gazullin më 1946 qeveria komuniste, vetëm se këta malësorë të iluminuar kishin idealin e përjetshëm të lirisë. Malësorët, siç shkruan Marin Bici më 1610, ishin mësuar të qëndronin në liri, të vetëqeverisur, në malet e veta përkundrejt sulmeve sllave, turke etj. Kjo është një krenari e ligjshme e gjithë shqiptarëve, edhe e krasniqasve, edhe e mirditorëve, edhe e vlonjatëve, edhe e skraparllinjve, edhe e suljotëve etj. Askush nuk i ka vënë në dyshim tiparet themelore të karakterit dhe ekzistencës së malësorit, si trimëria, nderi dhe besa, një trini vlerash e mjaftueshme për të ndërtuar një shtet, jo më një individ apo një familje. Jemi kundër glorifikimit të figurës së malësorit, mitizimit të tij, ashtu si dhe ndaj linçimit të tij si “malok”, çka shpreh mendësinë e një dore njerëzish që nuk e njohin botën e maleve në larminë dhe diversitetin e vet kulturor, pa ndodh që e përçmojnë atë. Kjo është e papranueshme dhe në rrugë, le pastaj në zyrat e shtetit.
Malësorët nuk kanë nevojë për apologji në këtë rast, pasi ata e kanë mbartur mbiemrin Maloku dhe kur kanë shkuar me banim në Prishtinë e Tiranë. Në një studim gjuhësor për Gjakovën thuhet se “mbiemri Maloku është shumë i vjetër dhe familjet që mbajnë këtë mbiemër kanë prejardhje nga zonat e rrethit të Shkodrës dhe Ulqin-Tivarit. Fiset shqiptare të cilët shtriheshin në këto zona e quanin veten “malok”, gjë që na bën të kuptojmë se nuk ishte aspak emërtim ofendues”. Përndryshe, studiuesi i njohur i letërsisë, Krist Maloki, profesor në Graz të Austrisë, do ta kishte ndryshuar së paku mbiemrin e tij.
Migjeni mbetet poeti emblematik i maleve tona, me “Recital i malësorit” etj. Ai “mali që s’bëzan” (shteti) është shkaktari herët e vonë i varfërisë dhe mos-zhvillimit të malësive. Është mbase i vetmi rast që mali përdoret si një metaforë me konotacion negativ, duke nënkuptuar me të qeverinë. Martin Camaj është poeti i “përpajnimit” të bjeshkës, njerëzve, breshkës e gjarprit në modernitetin poetik. Pa malin dhe tërmalen e teposhtën e tij nuk do të kishim as “Mitin e Sizifit” si filozofi, që mund të jetë ngjizur në vetëdijen e Kamysë bash prej mundimeve të malësorëve të kësaj bote, që ndryshe nga ne që i kemi lëshuar malet gjatë këtij tranzicioni, ata i kanë prirë qytetërimit drejt maleve. Thoshte një ditë një bujkeshë në një ekran, nuk mund të ketë qytet modern pa fshat të zhvilluar dhe se Europa nuk na pranon pa i “punuar” dhe malet. Mali është vërtet rezervat të mirash materiale për qytetin, ama kur dhe ky i fundit i jep atij.
Malësorët, jo mikpritës të komunizmit
Ka ardhur koha që t’u iket disa “tabuve” politike, kinse Lufta Nacionalçlirimtare ngadhënjeu kudo, ku do të mjaftonte vetëm masakra e Buzëmadhes (Kukës) për të thënë jo. Në vitin 1944, partizanët në malësitë e Veriut u mirëpritën si antifashistë e çlirimtarë, por jo si sjellës të komunizmit dhe kjo i bëri të padëshirueshëm për regjimin që erdhi, që u shpalli luftë me farë e me fis shtëpive të para, Kapidanit, bajraktarëve etj.
Shumë figura atdhetare që kishin luajtur rol në shpalljen e Pavarësisë dhe mbrojtjen e trojeve nga fqinjët u ekzekutuan apo dënuan me burgime të gjata, si qytetari elbasanas Lef Nosi, si malësori kelmendas Prek Cali, si frati i njohur Anton Harapi, ngaqë ata nuk ishin me regjimin e ri. Kjo i keqësoi marrëdhëniet e qeverisë së Tiranës me malësorët. Mësuesit, mjekët, inxhinierët, agronomët dhe specialistë të tjerë që erdhën me shumicë nga viset jugore në ato veriore, u pritën si s’ka më mirë dhe kjo tregon mikpritjen e malësorëve, e cila qe refuzuar vetëm për ideologjinë komuniste dhe përhapësit e saj, natyrisht dhe nën ndikimin e klerit katolik që kishte propaganduar në popull mbi të këqijat e bolshevizmit. Malësorët nuk qenë dakord as me hyrjen në kooperativë. Ka individë që qenë vetëflijuar për këtë, pasi e dinin se po humbitnin pronën. Kjo kundërshti ka prodhuar kulakë dhe në malësi e jo vetëm në fusha. Po ashtu, ata nuk ishin dakord me heqjen e institucioneve fetare, ndaj partia u hakmor ndaj tyre duke i quajtur traditat e vjetra “zakone prapanike dhe mbeturina fetare”?!
Doemos, kishte plot gjëra që duheshin ndryshuar në jetesën malësore, por kjo nuk mund të bëhej me revolucion ideologjik “me prerje kokash” të atyre që vazhdonin me qenë konservatorë, pa dashur të shndërroheshin në “njeriun e ri”. Prapambetja në jetën e malësive kishte të bënte me mungesën e infrastrukturës, ndalimin e pronës private dhe mospërfitimin ekonomik të fshatarit nga pasuritë e tij natyrore, të cilat dhe sot e kësaj dite i bën lesh e li shteti me myshterinjtë e tij. Dihet që në male nuk kishte opera, teatër, kinema, biblioteka. Me shfaqje folklorike njëherë në katër vjet dhe me ca radio “Iliria”, që iu dhuroheshin barinjve të dalluar në Malin e Thatë apo në Malin e Hekurave nuk mund të kishte progres të vërtetë kulturor. Kurse sot, falë teknologjisë dixhitale, nuk ka më dallim mes qytetit dhe fshatit, pasi ekrani i madh (televizioni) apo i vogël (ajfoni) ka shkuar dhe në stanin më të largët, ndonëse kultura masive e televizioneve në fundjavë e ka eklipsuar jo pak teatrin dhe artin e mirëfilltë. Mbyllja për gjysmë shekulli e malësorëve në rrethinën e tyre malore, pa i lejuar të lëviznin drejt qyteteve i dha “frytet” e veta shkatërruese, mbinë ferrat në çdo derë. “Keqkuptimi” me malet ka qenë dhe i vetë malësorëve, me kullat, trojet, bashtinat, që i braktisën masivisht në tre dekadat e fundit. Por duhet thënë se ka filluar të ketë një shikim tjetër të malësive, përherë e më shumë po vemi drejt maleve për investime në turizëm, hiking etj., ku mikpritja e malësorëve nuk është bjerrë. “Mali dhe deti” është sot formula e turizmit në Lezhë, Vlorë etj.
Malësori e lëshoi malin e vet për qytetin, se shkrepat i kishin mundësuar vetëm mbijetesën, sot ka njëfarë hutese të tij me u kthye prapë atje (sigurisht jo më me pendën e qeve), kurse nesër prania e njeriut në male do të jetë luks, po që, sipas gjasave, ato do t’i kenë fituar pasanikët e do t’i kenë humbur të zotët. Sot nuk mund ta prekësh “metrin katror” të banesave as në Kashar, nesër për qytetarin e thjeshtë ai do të jetë i pamundur në Theth, Lurë e Progonat …
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme