LAJMI I FUNDIT:

LVV dërgon ankesë në PZAP për kufizimin e numrit të votuesve nga mërgata

LVV dërgon ankesë në PZAP për kufizimin e numrit të votuesve nga mërgata

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje, ka dërguar ankesë zyrtare në PZAP, për kufizimin e numrit të votuesve nga mërgata nëpër përfaqësi diplomatike të Kosovës.

Rama ka shkruar në Facebook se kjo ka ndodhur me gjithë zotimin e MPJD-së dhe Qeverisë së Kosovës se do plotësohen gjitha kushtet për organizimin e votimit në Ambasada dhe Konsulata të Kosovës.

“Ankesë në PZAP ndaj vendimit të padrejtë të KQZ për kufizimin të numrit të votuesve nga mërgata nëpër përfaqësi diplomatike të Kosovës, me gjithë zotimin e MPJD dhe qeverisë së Kosovës për akomodim të gjitha nevojave që mund të paraqiten për organizmin e votimit në Ambasada dhe Konzullata të Republikës së Kosovës”, tha ai.


Ndryshe, kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka bërë të ditur se votimi jashtë vendit për mërgimtarët do të bëhet në 22 shtete, respektivisht në ambientet e 35 ambasadave dhe konsullatave me gjithsej 47 vendvotime.

Në mbledhjen e KQZ-së u tha se numri i votuesve jashtë vendit do të jetë rreth 47 mijë votues.

Gjatë periudhës 29 gusht – 26 dhjetor 2024, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit./Telegrafi/