LAJMI I FUNDIT:

Lushnjari që arrestohej, sa herë që Tito e vizitonte Egjiptin

Lushnjari që arrestohej, sa herë që Tito e vizitonte Egjiptin

Nga: Kevin Haxhiu

Qerim Haxhiu më 7 shkurt 1920 në një familje qytetare, fisnike, patriotike të Lushnjës. Djali i patriotit të shquar shqiptar, Bajram bej Haxhiu, i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu. Qerimi shkollën fillore e kreu në Lushnjë, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë e Tiranës. Shkollën e lartë e vazhdoi për teologji (shkenca islame) në universitetin “Al-Azhar” në Kajro të Egjiptit. Ai, në vitet 1930 u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit ‘Kongresi i Lushnjës’ i qytetit të Lushnjës. Ishte një nga futbollistët e gjeneratës së parë të ekipit lushnjar dhe i pari që nisi “rrugën” e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjar dhe atë shqiptar “Haxhiu”.

Në vjeshtën e vitit 1938, Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri. Kjo rrugë e gjatë për Qerimin, ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa gjersa ndërroi jetë, por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe. Ai fizikisht ishte në Egjipt, por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike. Botonte artikuj për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta, revista të diasporës shqiptare të Egjiptit, gjithashtu ka shkruar dhe poezi. Haxhiu ka qenë nismëtar i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve, peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare shqiptare. Në 7 prill 1939 kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Qerimi hartoi një peticion si dhe ishte njëri prej studentëve shqiptarë organizator të protestave në Kajro.


Në vitin 1958 Tito do të vizitonte Naserin në Egjipt dhe këtij të fundit Qerimi i nisi një memorandum rreth 20 faqe për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Në përmbajtjen e Memorandumit jepeshin të dhëna mbi golgotën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe shpjegohej se myslimanët nuk jetojnë vetëm në Bosnjë, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu dhe se ata me kombësi janë shqiptarë. Memorandumi megjithëse iu drejtua Naserit, nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit, por memorandumi u dorëzua në Ambasadën Jugosllave. Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu të arrestohej gjithmonë përkohësisht, kur Tito do të vizitonte Egjiptin.

Më 9 korrik 1941, Qerimi do të shkruante poezinë “Teqeja Magauri” kushtuar teqesë bektashiane shqiptare të Baba Ahmet Serri Glina me origjinë nga Përmeti. Teqeja “Magauri” në Kajro të Egjiptit u kthye në një “shtëpi” për shqiptarët atje, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ai ishte një besimtar i devotshëm dhe kurrë nuk u largua nga leximi i Librit të Shenjtë Kur’anit dhe nga falja e namazit.

Qerim Haxhiu ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut, Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë. Kishte njohuri të thella për historinë shqiptare dhe gjithnjë fliste për rilindësit e gazetat që ata botuan, të cilët kontribuuan në zgjimin dhe ndërgjegjësimin kombëtarë të shqiptarëve të Egjiptit. Haxhiu ishte antikomunist i flakët, demokrat dhe nacionalist i madh. Për regjimin diktatorial komunist në Shqipëri ai ka thënë se: “Regjimi komunist në vend që rinisë t’ia shtojë dashurinë për atdheun, regjimi komunist u interesua për Rusinë dhe Vietnamin, për dallim nga rinia kosovare e cila ndjenjën e atdhedashurisë e ruajti më tepër. Mirëpo, rinia kosovare nuk e dinte se Shqipëria zyrtare më tepër interesohej për Vietnamin se sa për Kosovën”.

Në Egjipt, gjatë gjithë jetës qëndroi pranë shqiptarëve dhe për këtë është shprehur: “Unë kudo që të shkoj, kërkoj shqiptarë, sepse pa ta dita nuk më shkon”.

Qerimi ka takuar edhe Mbretin e Egjiptit me origjinë shqiptare, Faruk, njëherë në një iftar që mbreti organizoi për studentët dhe njëherë tjetër në Bashkësinë Shqiptare. Ai në Kajro ka takuar edhe personalitete të rëndësishëm shqiptare, ndër të cilët janë: Mbreti Zog I, Ernest Koliqi, Abaz Kupi, Nexhmedin Qorraliu, Qemal Butka, Aleksandër Meksi etj.

Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin dhe me djalin e tij që ishin moshatarë dhe shokë të ngushtë. Ai ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe te fëmijët e shqiptarëve në Kajro. Gjithashtu, ka dhënë edhe leksione tre herë në javë për studentët shqiptarë në Liceun e Kajros.

Në vitin 1967, gati pas tre dekadash u nis me anë të një vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist) për të vizituar për herë të parë atdheun Shqipërinë, që pas vajtjes me studime në Egjipt më 1938. Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe, ndaj dhe e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij. Një moment prekës të kësaj vizite atdhetari Qerim Haxhiu nuk e harroi asnjëherë për të cilin ka treguar se: “Nga Tirana deri në Lushnjë nuk kam pushuar së qari. Kur arrita në Lushnjë, oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz. U takova me të gjithë me shumë mall. Kur hyra në dhomë në të cilën po rrinte babai (Bajram Haxhiu), ai posa më pa thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj ngase njëzet e nëntë vjet nuk më kishte parë! Këto janë përshtypjet e kësaj dite që nuk do t’i harroj kurrë ”.

Qerim Haxhiu ishte i martuar me Shukranen me origjinë nga Prishtina, por me vendbanim në Kajro, që ishte vajza e kirurgut Shyqyri Çupishti, drejtor në Spitalin e Vlorës në vitet 1933-1935. Ka lënë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali Iliri me profesion farmacist, punon në fabrikën e ilaçeve në Stamboll të Turqisë, ndërsa vajza Dhurata, doktore e shkencave të kimisë, profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë. Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kajros, ndërsa Dhurata në atë Amerikan. /Mapo/