Luka Doncic pritet të bëhet lojtari i parë në historinë e NBA-së me një pagë vjetore që kalon 80 milionë dollarë, raportoi portali amerikan sports.yahoo.com, duke cituar Fadeaway World.

Ylli slloven i NBA-së ka nënshkruar së fundmi një zgjatje trevjeçare të kontratës me Los Angeles Lakers me vlerë 165 milionë dollarë, duke u renditur ndër 25 lojtarët më të paguar në historinë e ligës.


Në përfundim të kësaj marrëveshjeje, Doncic do të kualifikohet për një zgjatje historike pesëvjeçare që mund t’i sigurojë plot 417 milionë dollarë, duke e çuar pagën e tij mesatare vjetore në mbi 80 milionë dollarë.

Sipas burimeve të mediumit, slloveni synon të refuzojë opsionin e lojtarit me vlerë 57.58 milionë dollarë për sezonin 2028/29, për të përshpejtuar procesin drejt kontratës më të madhe ndonjëherë në NBA.

Sipas Ashish Mathur të Lakers Daily, Doncic ka ambicie të sigurojë të ardhmen e tij afatgjatë te Lakers dhe të bëhet lojtari i parë në histori që firmos një kontratë me vlerë mbi 400 milionë dollarë.

Aktualisht, rekordin për kontratën më të vlefshme e mban Jayson Tatum me 314 milionë dollarë për pesë vite – megjithëse jo me pagën më të lartë vjetore.

E ardhmja e Lakers është gjithashtu në qendër të vëmendjes, sidomos për shkak të mundësisë që LeBron James të tërhiqet ose të largohet nga skuadra pas sezonit 2025/26.

Agjenti i tij, Rich Paul, ka konfirmuar se James do ta përmbushë kontratën aktuale me Lakers dhe nuk do të transferohet këtë sezon. /Telegrafi/

telegrafi sport app